Skip to content
Në Qendrën Korrektuese në Lipjan është mbajtur tryezë për të drejtat e grave të privuara nga liria

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan është mbajtur tryezë për të drejtat e grave të privuara nga liria

Prishtinë, 07/12/2017

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Qemajl Marmullakaj, me këtë rast, ka theksuar se do të punohet në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe infrastrukturor, në mënyrë që të ndikohet drejtpërdrejt në avancimin e respektimit të të drejtave edhe për gratë që kanë rënë ndesh me ligjin. 

“Çdo qytetar i Kosovës, përfshirë edhe ata që kanë rënë ndesh me ligjin, kanë të drejtë për trajtim të barabartë dhe dinjitet. Andaj, është me rendësi që Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe komponentët e veçanta të tij të jenë tërësisht funksionale dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta për trajtimin e grave në vuajte të dënimit” tha ai.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka kërkuar që të bëhet më shumë në punësimin e këtyre grave, që do të ndihmonte në pavarësimin financiar të tyre. 

Leonora Selmani, nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të grave, sidomos të të burgosurave, çdo ditë, e jo vetë gjatë 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave. Madje, ajo ka përmendur që OKB ka caktuar këto 16 ditë, në kujtim dhe nderim të motrave Mirabal të Republikës Dominikane, të cilat në vitin 1960 ishin vrarë padrejtësisht në burg. 

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, ka bërë një prezantim të punës që bëhet në këtë qendër, duke u fokusuar më shumë në aktivitete që ndihmojnë në risocializimin dhe riedukimin e grave.  
 

Foto Galeria

Skip to content