
“Jam e nderuar që sot po shënojmë 9-të vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës e cila vuri themelet e shtetit tonë. Me këtë rast do të doja të falënderoja të gjithë të pranishmit për kontributin e dhënë dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen për ata që hartuan Kushtetutën e vendit tonë, që materializon sovranitetin e popullit të shtetit më të ri në Evropë, garanton barazinë para ligjit, garanton të drejtat e komuniteteve, parimin e ndarjes se pushteteve dhe sundimin e ligjit.
Në këtë përvjetor si çdo herë kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë shumë që ne të arrijmë të kemi sot një Kushtetutë moderne. I kujtojmë me krenari studentët që ngritën ndër të parët zërin e rinisë për liri dhe pavarësi, kujtojmë minatorët që u vunë në ballë të kërkesave të popullit tonë kundër rrënimit të rendit kushtetues, kujtojmë mësuesit të cilët për asnjë çast nuk u lëkundën nga besimi se arsimimi i brezave të rinj do ti shërbejë një ditë Kosovës së pavarur, kujtojmë me krenari luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë tonë.
Të gjitha këto përpjekje dhe lufta çlirimtare u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, kurorëzim ky i një lufte të gjatë dhe të dhimbshme, luftë për liritë dhe të drejtat e njeriut, luftë për krijimin e një shteti modern evropian dhe demokratik ku sundon ligji.
Miratimi i Kushtetutës përveç që vuri themelet e shtetit tonë si akti më i lartë juridik po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike të cilat populli ynë i përqafoi. Ne sot, mund të themi se jemi me fat por edhe kemi përgjegjësi të madhe. Jemi me fat sepse po gëzojmë shtetin i cili u ndërtua me shumë mund dhe sakrifica por kemi përgjegjësi historike dhe kombëtare që këtë shtet ta bëjmë funksional, të fuqizojmë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit gjithnjë duke i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve Kushtetuese.
Është detyrë e të gjithë neve që të mbrojmë Kushtetutën dhe të vazhdojmë të ndërtojmë institucionet tona vetëm mbi këtë bazë si themel i shtetit dhe shoqërisë sonë. Me këtë rast konsideroj se të gjithë duhet të vlerësojmë lartë rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të jap mbrojtësi i Kushtetutës sonë, Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është aty për të na kujtuar çdo herë se askush dhe asgjë nuk mund të dalë mbi atë që vuri themelet e shtetit tonë dhe të gjithë ne jemi në shërbim të vlerave dhe parimeve që caktoi kjo Kushtetutë.
Në këtë ditë të shënuar, të gjithë ne kujtojmë se kontributi më i madh që mund të japim për vendin tonë është të punojmë të gjithë, për të siguruar që Kushtetuta të jetë udhërrëfyesi ynë në çdo proces vendimmarrës.
Askush më mirë se ne nuk e di se si është kur rrënohet sistemi kushtetues, kur rrënohen vlerat demokratike dhe shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Le të punojmë të gjithë së bashku që qytetarët tanë asnjëherë më të mos ndjejnë kërcënim për liritë dhe të drejtat e tyre, le të punojmë së bashku që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të barabartë para ligjit.
Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, shpreh falënderimin për mbështetjen dhe kontributin e të gjithë ju të pranishmeve për të fuqizuar institucionet e Kosovës dhe sundimin e ligjit.
Në fund, dua të theksoj se, respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sundimi i ligjit është obligim i të gjithë qytetarëve të vendit. Të gjithë ne duhet të besojmë në vlerat dhe parimet kushtetuese, të gjithë ne duhet të besojmë fuqishëm në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane. Urime dita e Kushtetutës!”, theksoi Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.