Sot u nënshkruan katër kontrata me organizatat joqeveritare përfituese të donacionit për ofrimin e shërbimeve sociale.
Vetëm për vitin 2025, Ministria e Drejtësisë ka ndarë një vlerë prej rreth 2.5 milionë eurosh për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat në mënyrë që të avancohet me shërbimet e tilla për qytetarët me nevoja të veçanta.
Ky fond, i cili në vitin 2025 është trefishuar krahasuar me vitet e kaluara, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare.
Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave të shërbimeve sociale, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj mbështetjeje dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ajo do të ketë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët në të gjithë territorin e Kosovës.
Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, me këtë rast theksoi se:
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcaktuar si prioritet të qartë politik përforcimin e sistemit të shërbimeve sociale dhe familjare. Ky vendim nuk është vetëm një obligim institucional, por një orientim strategjik për të siguruar që secili qytetar, pavarësisht gjendjes sociale apo sfidave që përjeton, të ketë mbështetje dhe qasje në shërbime të domosdoshme.”
Përfaqësuesit e organizatave shprehën mirënjohje për mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se ky hap reflekton drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë kombëtar.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit ngritën edhe çështje të tjera të cilat i vlerësuan si thelbësore për thellimin e progresit në ofrimin e shërbimeve sociale për të gjitha kategoritë e qytetarëve.