
Në takimin e sotëm ku zëvendësministri Sallahu priti drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, kryetaren e Odës së Ndërmjetësuesve, Ganimete Xhelili dhe përfaqësues nga INL – Ambasada Amerikane, u dakordua formalizmi i procedurave të nevojshme për jetësimin e programit të trajnimeve për ndërmjetësues nga muaji shkurt.
Gjatë vitit të kaluar INL – Ambasada Amerikane, përmes projektit të FMCS kishte mbështetur Ministrinë e Drejtësisë duke trajnuar ndërmjetësuesit trajnerë, të cilët tani si trajnerë të certifikuar do të zhvillojnë programin e trajnimeve për ndërmjetësues së bashku me Akademinë e Drejtësisë dhe nën monitorimin e projektit FMCS.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Sallahu njoftoi se Ministria e Drejtësisë ka planifikuar një pjesë të buxhetit të këtij viti për realizimin e programit të trajnimeve për ndërmjetësues, ndërkaq drejtori Fejzullahu dhe kryetarja Xhelili shprehën mirënjohje për Ministrinë e Drejtësisë për fokusin e dhënë Institutit të Ndërmjetësimit gjatë këtij mandati.