
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur në takim delegacionin e UNODC-së, në krye me Jason Reichelt, zyrtar i Drejtësisë. Qëllimi i takimit ishte njoftimi i Zëvendëskryeministrit Kuçi me bashkëpunimin e radhës midis UNDP-së dhe UNODC-së, në kuadër të Projektit të UNDP-së, në Mbështetje të Përpjekjeve Antikorrupsion në Kosovë, që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Gjatë takimit, Ministri Kuçi ka thënë se lufta kundër Korrupsionit është një nga prioritetet për Qeverinë e Kosovës dhe me interes për tëre institucionet dhe shoqërinë e Kosovës në përgjithësi. Ai tha se ne si Ministri e Drejtësisë kemi punuar në hartimin e legjislacionit të duhur për të krijuar kushte adekuate për prokurorët dhe gjyqtarët, duke ashpërsuar dënimet për veprat penale me Kodin e ri Penal dhe duke lehtësuar procedurat me Kodin e Procedurës Penale, po ashtu, sipas tij është punuar për krijimin e një strukture adekuate për funksionimin e këtyre institucioneve. Ajo çka është veçanërisht e rëndësishme tani është zbatimi i këtyre dispozitave në praktikë nga ana e institucioneve përkatëse.
UNODC, me anë të këtij projekti do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave të brendshëm të gjyqësorit në Kosovë për hetimin e rasteve të brendshme të korrupsionit dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për veprat të korrupsionit dhe aftësimin e mëtejmë të gjyqësorit që t’i hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e korrupsionit jashtë gjyqësorit.
Lidhur me pavarësinë e gjyqësorit, Ministri Kuçi ka thënë se bazuar në sistemin juridik të Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, sistemit gjyqësor i garantohet pavarësi dhe paanësi e plotë në punën e vet, ai tha se gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit dhe marrjes së vendimeve janë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga asnjë person fizik apo juridik, përfshirë edhe organet publike, duke shtuar se pavarësi të plotë kanë edhe sa i përket menaxhimit të buxhetit. Ministri Kuçi me tej ka shtuar se garantimi i mandatit të përjetshëm dhe paga dinjitoze janë dy hapat më të rëndësishëm në kuadër të reformës në drejtësi, përmes të cilës është shënuar një progres drejt një gjyqësori të pavarur.
Kuçi ka theksuar se është e rëndësishme që përveç pavarësisë së gjyqësorit të sigurohet edhe llogaridhënia e këtyre institucioneve në mënyrë që të ngritët efikasiteti dhe profesionalizmi në punë. Për këtë vazhdimisht nevojiten vlerësime të jashtme dhe të brendshme të punës dhe performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndër tjera Kuçi theksoi edhe rëndësinë e transparencës së punës së gjyqësorit.
Për më shumë palët biseduan për zgjerimin e bashkëpunimit dhe implementimin e projekteve të përbashkëta që do të fokusohen në trajnimin e trajnerëve, zhvillimin e kampanjave publicitare dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit në përgjithësi me qëllim të forcimit të luftës kundër korrupsionit.