Këshilltarja e Lartë dhe Shefja e Stafit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, Dhurata Gutaj, hapi punëtorinë për mbështetjen e promovimit dhe zbatimit të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës së Budapestit për Krimin Kibernetik, si dhe vlerësimin e kornizës legjislative vendore, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, përmes projektit CyberSEE. Në fjalën hyrëse, e njëjta shprehi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe kapaciteteve institucionale për përballje me krimin kibernetik.
Duke folur për rëndësinë e transformimit digjital, Shefja e Stafit, znj. Gutaj tha se digjitalizimi është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në ndërmarrjen e hapave konkretë për transformimin digjital në fushën e drejtësisë. Mbetet prioritet i Ministrisë së Drejtësisë, transformimi digjital në fushën e drejtësisë ku tanimë janë duke ndërmarrë hapa konkretë, bashkë me institucionet përgjegjëse dhe partnerët tanë.
Tutje, u theksua se zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me masa të fuqishme për garantimin e sigurisë, besueshmërisë dhe mbrojtjes së qytetarëve dhe institucioneve. Në këtë drejtim, u veçua rëndësia e Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës së Budapestit për Krimin Kibernetik, i cili synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mekanizmat për sigurimin e provave elektronike, veçanërisht në rastet kur të dhënat janë të shpërndara përtej kufijve shtetërorë. Republika e Kosovës ka ndërmarrë hapa në avancimin e kuadrit të saj ligjor, si dhe mbetet e përkushtuar edhe më tutje për harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet evropiane dhe kërkesat e Protokollit të Dytë Shtesë.
Në fund, znj. Gutaj tha se përballimi efektiv i krimit kibernetik kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të drejtësisë, organeve të rendit publik dhe hetuesisë, institucioneve përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe partnerëve ndërkombëtarë, krahas ngritjes dhe avancimit së vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të hetuesëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë dhe teknologjisë së informacionit.