Ka filluar sot takimi i tetë i Nënkomitetit BE–Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, i cili do të zgjasë dy ditë dhe do të shërbejë si platformë për vlerësimin e progresit, identifikimin e sfidave dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm në fushat që ndërlidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë, sigurinë dhe të drejtat themelore.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vlerësoi se ky takim ofron mundësinë për të vlerësuar rezultatet e arritura, për të diskutuar hapur mangësitë dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të rrugës evropiane të Kosovës.
“Për ne, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit të drejtësisë, siguria publike dhe mbrojtja e të drejtave themelore nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit evropian. Ato janë pjesë e domosdoshme dhe fundamentale e funksionimit të shtetit demokratik dhe e mbrojtjes së qytetarëve”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Në fjalën e saj hapëse, ministrja theksoi se reforma në drejtësi mbetet një nga prioritetet qendrore të Qeverisë, duke veçuar Deklaratën e Përbashkët të Zotimit dhe Pakon e pesë projektligjeve të Reformës në Drejtësi.
Rëndësi të veçantë i kushtoi edhe funksionalizimit të plotë të Byrosë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar se funksionimi i saj duhet të mbështetet në profesionalizëm, paanshmëri, kontroll efektiv gjyqësor dhe respektim të garancive kushtetuese.
“Trajtimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë efektiv, por çdo ndërhyrje e shtetit duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe të drejtat e palëve”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Si zhvillime të rëndësishme në fushën e drejtësisë, ajo përmendi edhe themelimin dhe fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative, si dhe synimin për themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare, e cila do të mundësojë trajtimin e specializuar dhe më të shpejtë të lëndëve, me vëmendje të veçantë ndaj sigurisë së viktimave dhe interesit më të mirë të fëmijës.
Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Ministrja Gërvalla i kushtoi rëndësi të veçantë nevojës për një përgjigje të koordinuar institucionale ndaj dhunës, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët të të gjitha institucioneve në mbrojtjen e viktimave.
“Policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale, institucionet shtetërore dhe mekanizmat mbështetës duhet të veprojnë si pjesë e të njëjtës linjë të përgjegjësisë. Nga raportimi i parë, te vlerësimi i rrezikut, masat mbrojtëse dhe mbështetja afatgjatë, personi i ekspozuar ndaj dhunës duhet të marrë informacion, mbrojtje dhe ndihmë në kohë, pa pengesa institucionale apo riviktimizim”, theksoi ajo.
Duke folur për bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Ministrja Gërvalla vlerësoi se partneriteti dhe mbështetja e BE-së kanë rëndësi të veçantë në përmbushjen e reformave dhe avancimin e proceseve integruese, duke theksuar se përgjegjësia për zbatimin e tyre mbetet e institucioneve të Kosovës.
“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj evropiane. Përafrimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, angazhimi për reforma dhe orientimi proevropian tregojnë se integrimi evropian është orientim strategjik për Kosovën”, deklaroi ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, duke i uruar punë të mbarë pjesëmarrësve gjatë dy ditëve të takimit, Ministrja Gërvalla theksoi gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar me zbatimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve, duke pritur të njëjtin seriozitet dhe përgjegjësi edhe nga partnerët evropianë.