
Vonesa e gjatë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të trajtuar këtë çështje tejet domethënëse, e bënë edhe më të ndjeshme dhe të rëndësishme krijimin e mekanizmave të tillë, dhe dokumentimin e mirëfilltë të krimeve të kryera gjatë luftës.
“Është momenti i fundit që të dhënat mbi krimet e kryera gjatë luftës jo vetëm të dokumentohen por të institucionalizohen dhe t’i shërbejnë mbi të gjitha ruajtjes së memories kolektive dhe edukimit të brezave të ardhshëm mbi të kaluarën tonë, mbi vuajtjet dhe dëmet e shkaktuara"
Ministrja Haxhiu theksoi se ajo çfarë i ka paraprirë hartimit të këtij Projekt-ligji dhe krijimit të këtij Grupi Punues, është hartimi i Koncept-dokumentit, nga i cili ka buruar propozimi për themelimin e këtij Instituti, duke u bazuar në nenin 12 të Ligjit për Organizim dhe Funksionim të Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, i cili rregullon themelimin e Agjencive Ekzekutive brenda ministrive përkatëse.
Ministrja Haxhiu ftoi po ashtu të gjitha organizatat e shoqërisë civile, ato ndërkombëtare dhe ambasadat që me ekspertizën të cilën posedojnë, qoftë edhe nëpërmjet dërgimit të komenteve apo sugjerimeve, si dhe vërejtjet që mund të i kenë, t’i dërgojnë, në mënyrë që ky Projekt-ligj të hartohet në një bazë të fortë ligjore për funksionimin e suksesshëm të Institutit.
Ky Projekt-ligj parashihet të dërgohet për votim në Qeveri, në qërshor të këtij viti.