
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. dr. Hajredin Kuçi, mori pjesë në Ditën e Avokatisë së Kosovës, që organizohet nga Oda e Avokatëve të Kosovës – OAK. Duke ju drejtuar avokatëve të pranishëm, Ministri Kuçi, vlerësoi se avokatia është një nga hallkat e rëndësishme të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, ndërsa është me rëndësi që avokatët profesionin e tyre ta ushtrojnë lirshëm, me fisnikëri dhe me profesionalizëm, në shërbim të qytetarëve të vendit por mbi të gjitha në shërbim të së drejtës dhe të drejtësisë.
Duke folur për përceptimin e drejtësisë Zçvendëskyemisnistri Kuçi tha se “në demokraci shteti nuk është aparat i dhunës por është instrument i së drejtës dhe përdor dhunën ndaj atyre që e shkelin të drejtën”. Z. Kuçi me këtë rast tha se “avokatët nuk janë në anën tjetër të drejtësisë, por ata janë në anën e drejtësisë. Avokatët nuk janë ata që e mundin shtetin apo që i mundin gjyqtarët, mirëpo janë ata që i ndihmojnë qytetarët në mënyrë që prokurorët dhe gjyqtarët mos ta shkelin të drejtën”.
Duke ju dhënë mbështetje dhe përkrahje nga Ministria e Drejtësisë Zëvendëskryeministri Kuçi ju tha avokatëve se “Nuk ka drejtësi të paanshme, pa avokat profesional dhe të ndershëm. Ju jeni garantues të sundimit të ligjit!”
Zëvendëskryeministri Kuçi në fjalimin e tij prezantoi dy ide për të cilat kërkoi mbështetjen e Avokatëve në mënyrë që ato të realizohen. Meqenëse sivjet është 100 Vjetorit i Pavarësisë së Shqipërisë, z.Kuçi dha idenë për organizimin e një konference ndërkombëtare së bashku me avokatët dhe juristët nga Shqipëria, me temën “100 vjetë të drejtësisë te shqiptarët”.Ai premtoi që sponsore e konferencës do të ishte Ministria e Drejtësisë, por organizimi më mirë do të ishte të behej nga OAK. Ideja e dytë e z.Kuçi kishte të bënte me caktimin e Ditës së Drejtësisë në Kosovë më 22 Korrik, datë e cila përkon me ditën kur Gjykata Ndërkobëtare e Drejtësisë nxorri vendimin për Ligjshmërinë e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.