
Një delegacion i përbërë nga Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Noterëve, Prof. Dr. Abdulla Aliu, Kryetarja e Odës të Noterëve, znj. Arbena Shehu dhe Noterja znj. Vizhdane Kuçi janë duke marrë pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Noterëve që është duke u mbajtur në Lima të Perusë.
Mbrëmjen e djeshme (me kohen tonë lokale), në Kongresin Ndërkombëtar të Noterëve, Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve. Oda e Noterëve u antarësua në Union falë mbështetjes unanime nga 83 shtetet anëtare, me ç’rast u vendos që Kosova të pranohet në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë.
Para të pranishmëve, Kryetarja e Odës së Noterëve lexoi betimin solemn: ‘’Në emër të noterëve të Republikës së Kosovës, të cilët kam nderin t’i kryesoj, Unë premtoj solemnisht që do t’i respektojmë statutet dhe aktet ligjore të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë dhe do t’i bindemi idealeve dhe objektivave të tij, se do të mbrojmë dhe respektojmë interesin e noterisë ndërkombëtare’’.
Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës është vendi i 84 që bëhet anëtare e Unionit. Anëtarësimi i Odës së Noterëve në Union është i një rëndësie të madhe për të ardhmën e shërbimit noterial të Republikës së Kosovës.