
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim ish-Ministrin e Postës dhe Telekomunikacionit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Schwarz Schilling, emrin e të cilit e mbanë organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, e cila në Kosovë vepron me projektin për ndërmjetësim integrues (CSSP).
Në këtë takim u diskutua përgjithësisht mbi funksionet e Ministrisë së Drejtësisë, me thekës të veçantë mbi institucionin e ndërmjetësimit në Kosovë, i cili u promovua vitin e kaluar nga Ministria e Drejtësisë dhe për të cilin z. Shwarz Schilling ofroi ekspertizën e tij profesionale dhe shumëvjeçare, si dhe ndihmën e zyrës se CSSP-së në Kosovë.
Po ashtu, u fol edhe për çështjen e riintegrimit të kosovareve nga Republika Federale e Gjermanisë në Kosovë, ku bashkëbiseduesit u pajtuan që të bëhet një punë më e madhe në drejtim të avancimit të kushteve për jetesë të këtyre personave, për çka Zëvendëskryeministri Kuçi e siguroi ish-ministrin gjerman, që Qeveria e Kosovës po bënë çdo gjë në kapacitetet e saja, t’i riintegrojë këta persona në jetën kulturore, sociale dhe ekonomike të Kosovës.
Z. Shwarz Schilling në këtë takim ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilcon Mirdita.