Skip to content
Parandalimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave është detyrë e jona

Parandalimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave është detyrë e jona

Prishtinë, 19/10/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marr pjesë në ceremoninë e shënimit të “Javës për të drejtat e viktimave të Krimit” që është organizuar nga zyra e Prokurorit të shtetit. Në këtë ceremoni kanë marr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë,  Greg Delawie dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
 
Në fjalën e tij, Ministri Kuçi theksoi se tani më Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit është bërë ceremoni tradicionale, megjithatë është një ceremoni që ngjall një emocion të veçantë dhe njëkohësisht rrit ndjenjën e përgjegjësisë, tek të gjithë bartësit direkt të zbatimit të ligjit. “Përveç që evenimente të tilla kane rëndësi të dyfishtë, e që ndikojnë në rritjen e vetëdijes tek qytetarët mbi të drejtat e viktimave të cilat janë të garantuara me ligj, ato shërbejnë edhe për ngritjen e vetëdijes së akterëve institucional lidhur me të drejtat e viktimave dhe familjarëve të viktimave”, shtoi Ministri Kuçi.

Për më shumë, Ministri Kuçi potencoi se institucionet duhet të bëjnë përpjekje për luftimin dhe parandalimin e kriminalitetit, dhe mbrojtjen e qytetarëve, por edhe të kuptojnë më shumë nevojat dhe të drejtat e viktimave. 
 
Gjatë fjalës së tij, Ministri Kuçi njoftoi të pranishmit se me qëllim të funksionalizimit të programit të kompensimit, Ministria e Drejtësisë ka hartuar Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të krimit, i cili tanimë është ligj në fuqi. Ligji ndër tjera,  ka paraparë që Komisioni veçantë i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, në mënyrë objektive do të shqyrtojnë kërkesat për kompensim të viktimave të krimit. Projektligji ka paraparë kategoritë e viktimave dhe kushtet që duhet t`i plotësojnë për të gëzuar të drejtat në kompensim, e njëkohësisht  dhe procedura të qarta me qëllim që viktimave t`u mundësohet realizimi i të drejtave të tyre në mënyrë transparente dhe korrekte. Përveç kësaj, prioritet i bartësve direkt të zbatimit të ligjit mbetet luftimi dhe parandalimi i dukurive kriminale, si dhe krijimi i kushteve për çasje më të lehtë në drejtësi, si aspekt shumë i rëndësishëm i të drejtave të viktimave.  
 
Si hap të rëndësishëm dhe me qëllim të sigurisë së një qasje më të lehtë në institucionet e drejtësisë, Ministri Kuçi e vlerësoi bashkëpunimin ndër-institucional në mes të Policisë, Njësisë për Mbrojtjen e Viktimave dhe Prokurorisë. “Ndër prioritetet tona si institucione të drejtësisë është që të krijohen mekanizma proceduralë, në mënyrë që t’u sigurojnë viktimave një proces të lehtë gjyqësor, joparagjykues, me qëllim që viktimat të ndihen rehat që të sjellin rastet përpara organeve të drejtësisë”, tha Ministri Kuçi.
 
Kuçi shtoi se në mënyrë që të dëshmojmë tek qytetarët, bartësit e zbatimit të ligjit janë duke punuar me një përkushtim shumë të madh në rastet e tyre penale, veçanërisht në rastet e ndjeshme, siç është dhuna në familje, e  dhuna ndaj fëmijëve,  dhe se këto raste të trajtohen me efikasitet dhe profesionalizëm të shtuar. Një përkushtim i këtillë do të bëjë që të kthehet besimi në punën dhe efikasitetin e institucioneve dhe për të realizuar këtë duhet përkushtim, bashkëpunim ndërinstitucional, por edhe me qytetarët.
 
Në fund të fjalimit të tij, Ministri Kuçi bëri thirrje që të gjitha rastet e viktimave të krimit të denoncohen tek institucionet përkatëse të drejtësisë, në mënyrë që kryerësit e veprave penale të marrin ndëshkimin e merituar, e në anën tjetër viktimave t`u ofrohet ndihma e duhur me qëllim të rehabilitimit dhe risocializimit.

Skip to content