
Projektligji nga sot për 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune do të jetë në konsultime paraprake, përkatësisht konsultime me institucionet përkatëse.
Version aktual i projektligjit ka 43 nene, të ndara në VII kapituj, përmes të cilit parashihet themelimi, organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Komerciale në Republikën e Kosovës.
Gjykata Komerciale do të ketë juridiksion territorial për gjithë Republikën e Kosovës, dhe do të merret me shqyrtimin dhe vendosjen e kontesteve lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative për të gjithë personat juridik dhe fizik, përfshirë shoqëritë tregtare të përcaktuara në Ligjin në fuqi për Shoqëritë Tregtare, në Republikën e Kosovës të cilët kanë konteste ekonomike ndërmjet tyre.
Një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet trajtimit dhe vendosjes së kontesteve të investimeve të huaja, më ç’ rast është paraparë që në kuadër të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale të funksionon Divizioni për trajtimin e kontesteve të investimeve të huaja.
Pas përfundimit të kësaj faze të konsultimeve Projektligji do të procedohet për konsultime me publikun dhe palët tjera të interesit, me qëllim që procesi i hartimit dhe finalizimit të Projektligjit të jetë proces transparent dhe gjithëpërfshirës, për çka Ministria e Drejtësisë do të angazhohet.