Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur sot punëtorinë treditore për procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034 dhe shqyrtimin e nevojës për rishikimin e vetë Strategjisë.
Punëtoria treditore ka shërbyer për vlerësimin e zbatimit të deritanishëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, identifikimin e sfidave dhe përcaktimin e masave dhe prioriteteve për periudhën e ardhshme.
Në punëtori morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ridvan Hoti, Shefja e Stafit të Kabinetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, Dhurata Gutaj, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, partnerë vendor dhe ndërkombëtar dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Gjatë punës u trajtuan çështje të rëndësishme të drejtësisë tranzicionale, përfshirë qasjen në drejtësi dhe të drejtat e viktimave, personat e zhdukur, dokumentimin e krimeve të luftës, arkivat dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, reparacionet dhe mbështetjen për viktimat, si dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.
Në përfundim të punëtorisë u theksua nevoja që masat e Planit të Veprimit të jenë konkrete, të matshme dhe të zbatueshme, me përgjegjësi të qarta institucionale dhe afate realiste.
Rekomandimet e dala nga punëtoria do të sistematizohen dhe do të shqyrtohen në kuadër të procesit të rishikimit të Planit të Veprimit dhe sipas nevojës të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034.