
Me ftesë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë të këtij vendi.
Ministri Kuçi ka vazhduar takimet me përfaqësues të shërbimit korrektues të Mbretërisë së Bashkuar. Diskutimi me Graeme Hawkings, Guvernator i njërës prej qendrave korrektuese është përqendruar në trajtimin dhe dizajnimin e programeve integruese për të burgosurit.
Ministri Kuçi është shprehur që Kosova mund të mësojë shumë nga eksperienca e Mbretërisë së Bashkuar në administrimin e qendrave korrektuese dhe trajtimin e të burgosurve. Në veçanti, Ministri Kuçi ka shprehur interesim për zhvillimin e programeve integruese për të burgosurit e mitur dhe të rinjë, në funksion të mirëqenies së shoqërisë. Ministri Kuçi gjithashtu ka mirëpritur që shumë shpejt do të nënshkruhet marrëveshja bilaterale për transferim të personave të dënuar mes dy vendeve.
Në fund, Ministri Kuçi është takuar me Presidentin e Slynn Foundation, Sir Stanley Burton. Gjatë takimit është diskutuar për fillimin e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të drejtësisë, si parakusht për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për vitet në vijim, që do të kontribuojë në ngritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies të sistemit gjyqësor. Ministri Kuçi dhe Sir Stanley Burton kanë diskutuar për procesin e themelimit të Akademisë së Drejtësisë për trajnimin dhe avancimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës si përpjekje shtesë për ngritjen e kualitetit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe prokuorial. Në fund, është vlerësuar edhe roli i profesioneve të lira, duke përfshirë përmbaruesit privat dhe noterët në ngritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.