
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Dr. Nita Shala, falenderoi anëtarët e Grupit Punues dhe akterët tjerë për kontributin e dhënë në hartimin e këtij projektligji.
“Përmes projektligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit, avancohet programi per kompensim të viktimave të krimit në funksional dhe të konsoliduar, duke u garantuar më shumë mbështetje viktimave të krimit. Këto ndryshime konfirmojnë përqasjen institucionale pro viktimë, duke u bërë shembull në rajon”, tha znj. Shala.
Zëvendësministrja Shala theksoi se ndryshimi dhe plotësimi i dispozitave të ligjit lehtëson procedurat për aplikim për kompensim, parasheh afate më të gjata për viktimat për të kërkuar kompenzim; dhe garanton mundësinë për kompensim të menjëhershëm për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe kategori tjera të viktimave të ndjeshme.
Ky Grup Punues përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kompetente dhe të shoqërisë civile dhe udhëhiqet nga zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Përgjatë gjithë fazave të punës, Grupi Punues është mbështetur nga ekspertë të Ambasadës së SHBA-ve dhe zyrës së BE-së.
Adresimi i komenteve dhe finalizimi i këtij projektligji, hapë rrugë për procedim për deklarata përkatëse dhe më pas për shqyrtim dhe miratim nga ana e Qeverisë.