
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës sot ka organizuar Dëgjim Publikë lidhur me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale, me ç’rast Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, para të pranishmeve të këtij dëgjimi publik, ka prezantuar përmbajtjen e këtij Projektligji.
Me këtë rast, Ministri Kuçi ka thënë se Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale, është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në koordinim dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare duke përfshirë Gjyqësorin, Prokurorinë, Policinë e Kosovës, Zyrë e Bashkimit Evropian, EULEX-in, Ambasadën Amerikane, Agjencinë Kundërkorrupcion, organizatat e shoqërisë civile dhe shtoi së për të siguruar harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian të këtij Ligji është pranuar edhe ekspertiza e 3 ekspertëve të Bashkimit Evropian, me të cilën është vërtetuar përputhshmëria e plotë e projektligjit me legjislacionin përkatës të BE-së për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, posaçërisht me Vendimin Kornizë të Këshillit të vitit 2005 (nr.2005/212/JHA.
Ministri Kuçi duke prezantuar pjesët substanciale që parasheh ky Projektligj, që sipas tij qëllim të vetëm ka luftën kundër krimit, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mas të madhe ka inkorporuar edhe sugjerimet e institucioneve të cilat kanë qenë pjesë e grupit punues në hartimin e Projektligjit.
Ministri Kuçi pasi ka dëgjuar këshillat dhe sugjerimet e pjesëmarrësve të këtij dëgjimi publik, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë, të jep kontribut të parezervë gjatë punës në Komisionin për Legjislacion, për të hartuar një Ligj sa më të mirë dhe me efikas në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një Ligj që është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligj që respekton liritë e të drejtat e njeriut dhe që është në harmoni me legjislacionin e BE-së.