Skip to content
Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, domosdoshmëri për reformën

Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, domosdoshmëri për reformën

Prishtinë, 26/04/2023

Ministrja Haxhiu derisa ka falënderuar bashkëpunëtorët për përkrahjen e vazhdueshme të projekteve sa i përket shërbimeve sociale dhe familjare, ka theksuar se përmes reformës së tanishme të shërbimeve sociale, gjegjësisht projektligjit të ri, synojmë të rregullojë zbrazëtitë juridike dhe kontradiktat që ekzistojnë në legjislacionin e fushës së shërbimeve sociale dhe familjare, si dhe të qartësojmë kompetencat dhe përgjegjësitë në mes të nivelit qendror dhe atij lokal.

Ndër gjetjet e rëndësishme në këtë analizë, ministrja Haxhiu ka përmendur kontraktimin e shërbimeve sociale në afate kohore më të gjata. Lidhur me këtë, ministrja Haxhiu tha se synim i yni duhet të jetë ngritja e një strukture ligjore e cila mundëson partneritetin publiko privat në shërbime sociale dhe familjare, e cila krijon mundësi për bashkëpunim dhe ndërveprim ndërmjet autoriteteve publike dhe private lidhur me financimin, ndërtimin, menaxhimin dhe operimin për sigurimin e shërbimeve sociale dhe familjare në kohë reale.

Përveç kësaj, ministrja Haxhiu ka përmendur edhe procesin e licencimit dhe përmbushjen e kritereve për ofrimin ose jo të shërbimit, i cili duhet të adresohet në mënyrë specifike dhe të qartë, si dhe procesin e inspektimit i cili do e fuqizojë më tej llogaridhënien institucionale.

“Është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për ne si Ministri e Drejtësisë të fuqizojmë njësinë e inspektimit të shërbimeve sociale dhe familjare në mënyrë që institucionet të cilat marrin licencën për ofrim të shërbimeve të i ofrojnë ato sipas standardit të ndërtuar nga MD duke respektuar çdo normë ligjore dhe etikën profesionale” tha ministrja Haxhiu.

Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Haxhiu theksoi se si ministre e Drejtësisë, do të angazhohet që menjëherë pas aprovimit të rregulloreve të brendshme të Qeverisë dhe Ministrisë, ky projekt ligj të futet në agjendë legjislative të Qeverisë dhe të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim.

Foto Galeria

Skip to content