Skip to content
Provimi i Jurisprudencës shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë

Provimi i Jurisprudencës shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 05/04/2013

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot janë certifikuar 41 kandidatë të cilët e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në afatin e marsit 2013.

Në këtë ceremoni në të cilën morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, Udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv në EULEX, Mats Mettsson, krerët e institucioneve të drejtësisë, si dhe mysafir tjerë, u tha se provimi i jurisprudencës është shumë i rëndësishëm për sistemin juridik të Kosovës.

Me këtë rast, Ministri Kuçi tha se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës do të kenë më shumë peshë dhe përgjegjësi, pasi në një të ardhme të afërm do të mund të jenë udhëheqës të strukturave të drejtësisë.

“Së bashku na pret një punë shumë e madhe. Gjyqësori dhe prokuroria kanë nevojë për shumë gjyqtarë profesionalë, por edhe të durueshëm, të dijshëm, të rinj, por edhe të matur. Kjo sidomos tani që si Ministër i Drejtësisë kam marrë iniciativën që të ulen kriteret jashtëzakonisht të ashpra për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pozitat e tyre. Këtë do ta bëjmë pikërisht për t’ju dhënë një mundësi juve dhe shumë të tjerëve si juristë të rinj, apo edhe juristët që deri tani kanë punuar në fusha të ndryshme- si për shembull në akademi”, tha Ministri Kuçi.

Ministri Kuçi ripërsëriti që ky vit duhet të jetë vit i përmirësimit të imazhit të drejtësisë dhe vit i implementimit të ligjit. Ai tha se gjatë dy viteve që shkuan, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me partnerët e saj të afërt, si Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, KGJK-në, KPK-në, EULEX-in dhe shumë të tjerë, kanë  mundësuar një reformë më të lehtë të infrastrukturës ligjore.

Ambasadorja Jakobson tha se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës  marrin përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë, pasi që do të përfaqësojnë shoqërinë në rolin e gjyqtarit apo prokurorit. Sipas saj, kandidatët do të kontribuojnë në respektimin e kushtetutës e të ligjeve, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

Udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv në EULEX, Mats Mettsson, theksoi rëndësinë e punës së këtyre kandidatëve në të ardhmen për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Për rëndësinë e provimit të Jurisprudencës, si hap i parë për inkuadrim në sistemin e drejtësisë folën edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh Kryetar i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Kryeprokurori Ismet Kabashi, sipas tyre dhënia e provimit të jurisprudencës ofron kandidatët një hap me afër inkuadrimit në sistemin gjyqësor të Kosovës. 

Foto Galeria

Skip to content