
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin ku është bërë “Lansimi i raportit mbi Gjendjen e Zhvillimit dhe Edukimit të Hershëm të Fëmijëve në Kosovë”, e organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë.
Në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve të këtij takimi, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: ”Është kënaqësi e veçantë dhe nderë për mua, për të kontribuar në këtë takim mbi “Lansimin e Raportit mbi Gjendjen e Zhvillimit dhe Edukimit të Hershëm të Fëmijëve në Republikën e Kosovës”, që njëherit paraqet qartë përkushtimin serioz të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar dhe funksionalizuar të gjitha strukturat dhe mekanizmat institucionalë të sistemit kombëtarë të mbrojtjes së fëmijëve, e cila përbënë një detyrim serioz jo vetëm për Qeverinë, por për të gjithë shoqërinë kosovare, një dokument ky shumë i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës.
Ambienti i gjithanshëm, për promovim të zhvillimit të hershëm të fëmijëve në Republikën e Kosovës, bazohet në kornizën ndërkombëtare e cila është e mbështetur në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, si dhe kornizën ekzistuese nacionale ligjore dhe politike.
Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të prioriteteve të saj zhvillimore, një vëmendje të veçantë është duke i kushtuar edhe edukimit në fëmijërinë e hershme, duke qenë të bindur se kujdesi dhe investimi në këtë moshë dhe në këtë segment të sistemit arsimor, është investim dhe sukses i garantuar në tërë sistemin arsimor dhe për një të ardhmen të suksesshme të shtetit të Kosovës.
Në themel të reformimit të sistemit të mbrojtjes sociale është e instaluar filozofia e inkurajimit të politikave sociale parandaluese, duke krijuar kështu kushte për zhvillimin e lirë dhe plotësimin e nevojave të jetesë e zhvillim të të gjithë individëve, grupeve sociale dhe komuniteteve.
Jo rastësisht konceptet e “mbrojtjes” dhe “zhvillimit” të fëmijëve, janë futur në prioritetet dhe përpjekjet e qeverisë tonë, e që konsiderohen fushat më të rëndësishme të zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik të vendit duke synuar arritjen e rezultateve të nevojshme të mirëqenies, produktivitetit dhe kohezionit social.
Kosova ka zhvilluar një qasje të integruar ndaj edukimit në fëmijërinë e hershme, në të cilën kombinohen shumë natyrshëm procesi i edukimit, i kujdesit shëndetësor, i arsimimit, lojës së fëmijëve dhe kujdesit profesional ndaj zhvillimit të tyre. Në këtë kontekst krijimi i hapësirës se përshtatshme për një realizim më të mirë te të drejtave te fëmijëve është prioritet dhe një synim kyç i institucioneve dhe shoqërisë sonë.
Përfshirja e prioriteteve qeveritare mbi zhvillimin dhe edukimin e hershëm të fëmijëve zë vend kyçë në dokumentet qeveritare, dhe në këtë drejtim janë miratuar dhe po zbatohen një varg dokumentesh, si:
– Ligji mbi Edukimin parashkollorë (2006);
-Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2001-2013;
-Plani strategjik sektorial i MASHT 2011-2016;
-Strategjia dhe Plani i Veprimit për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve 2011-2016;
– Strategjia për Shëndetin e nënës, fëmijës, Adoleshentit dhe Shëndetit Riprodhues 2011-2015;
Një hap tejet i rëndësishëm është a) hartimi i standardeve të përgjithshme të edukimit dhe arsimit parashkollor në Kosovë 3-6 vjeç, dhe b) kurrikula e edukimit parashkollor në Kosovë 3-6 vjeç (2006).
Hartimi i politikave strategjike padyshim është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë për rritjen e cilësisë në edukimin parashkollor, si dhe i paraprijnë përmbushjes së misionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e që përveç tjerash është krijimi i kushteve më të mira të jetesës së fëmijëve, si: në familje, shoqëri, institucione publike dhe private, e në veçanti mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e diskriminimit, dhunës, keqtrajtimit, shfrytëzimit dhe punëve të rrezikshme, në mënyrë që të siguroj një jetë dhe zhvillim normal të fëmijës. Pa dyshim me anë të zbatimit të këtyre dokumenteve ne synojnë stimulimin, përkrahjen dhe krijimin e mundësive dhe ambientit sa më nxitës për zhvillimin e potencialit të plotë të fëmijëve dhe të mësuarit e tyre.
Siç edhe e dini, për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve, kërkohet një koordinim i mirëfilltë i përbashkët i punës dhe një qasje institucionale shumë sektoriale, për këtë qëllim janë themeluar: Komiteti i Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Fëmijëve; Këshilli për Mbrojtje dhe Drejtësi për Fëmijë; Këshilli për Edukim Parashkollorë; Komiteti Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës; si dhe grupe të tjera punuese. Këto trupa qeveritare përveç tjerash janë përgjegjës që në vazhdimësi të lehtësojnë zbatimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe të monitorojnë, raportojnë dhe ofrojnë këshilla të qarta për të adresuar sfidat, mangësitë dhe vështirësitë eventuale të identifikuara.
Mekanizma këto që vazhdimisht kanë pranuar përkrahje institucionale mbi zbatimin e Planeve të Veprimit të tyre dhe do të vazhdojnë ta kenë po këtë përkrahje të fuqishme.
Qasja gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit dhe edukimit të hershëm të fëmijëve, sigurimi që të gjithë fëmijët pa dallim të kenë qasje të barabartë në shërbimet e ofruara, nxitja dhe promovimi i formave alternative për edukimin parashkollor, fokusimi në rritjen dhe kontrollimin e cilësisë së punës edukative me fëmijët dhe rritja e vetëdijes, jo vetëm e prindërve por edhe e vetëdijes kombëtare për rëndësinë e madhe të investimit në fëmijërinë e hershme, zënë një vend të pazëvendësueshëm në agjendat e udhëheqësve qeveritare me të vetmin qëllim mbështetjen e zhvillimit më të mirë të fëmijëve kosovarë.
Dhe krejt në fund, më lejoni të ftojë të gjithë bashkëpunëtorët dhe pjesëmarrësit e tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale, organizatave jo qeveritare dhe agjensionëve vendore e ndërkombëtare, qytetarët, për të thelluar bashkëpunimin dhe për të koordinuar veprimtaritë tona për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni vendorë dhe instrumentet ndërkombëtare për realizimin e të drejtave të fëmijëve, me qëllim që së bashku të ndërtojmë Kosovën si një nga vendet më të mira për fillimin e shëndoshë të jetës, për të jetuar fëmijët dhe për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë.
Dhe me këtë rast, shfrytëzoj mundësinë të falënderoj sinqerisht Zyrën e UNICEF-it në Kosovë për punën e palodhshme dhe cilësore që po bënë në këtë drejtim.
Do ta përfundojë këtë fjalimin tim me një urim , për 1 Qershorin ditën e fëmijëve, me një thënie, do ta thoja shumë të përmbajtëshme, nuk ka punë më të bukur se sa të punohet që gjeneratat që vijnë pas nesh të jenë më të lumtur se sa ishim ne”.