Skip to content
Qendra e Ndërmjetësimit në Pejë, i hap dyert për qytetarët dhe komunitetin e biznesit që të zgjidhin problemet jashtë

Qendra e Ndërmjetësimit në Pejë, i hap dyert për qytetarët dhe komunitetin e biznesit që të zgjidhin problemet jashtë

Prishtinë, 02/08/2011

Me ndihmën e Programit të USAID-it në Kosovë ‘Sistemi për Përmbarimin e Marrëveshjeve dhe Vendimeve (SEAD)’,  Qendra e Ndërmjetësimit në Pejë është bërë plotësisht funksionale dhe i ka hapur dyert e saj për qytetarët dhe komunitetin e biznesit që të zgjidhin problemet e tyre jashtë gjykatës.

Ceremonia e hapjes u zhvillua sot, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuci, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, kryetarja e Gjykatës Komunale të Pejës, Afërdita Mulhagja,  dhe  figurat tjera kryesore nga Gjykata Komunale, Gjykata e Qarkut, institucionet e tjera qeveritare dhe ndërkombëtare dhe nga sektori privat. 

Në ketë manifestim morën pjesë mbi 50 pjesëmarrës për të shënuar dhe shpallur një hap të rëndësishëm përpara në krijimin e bazave për zgjidhje miqësore të kontesteve, e cila paraqet një komponent themelor në ndërtimin e një shteti të fuqishëm të së drejtës në Kosovë.

Drejtori i zyrës për Qeverisjes dhe Demokraci të Misionit të USAID-it në Kosovë, Jose Garzon theksoi se “Ndërmjetësimi është njëra nga tri “shtyllat” për zgjidhjen e kontesteve. Hapja e qendrave të ndërmjetësimit është një ndër aktivitetet e shumta që USAID-i, përmes Programit të tij ‘Sistemi për Përmbarimin e Marrëveshjeve dhe Vendimeve (SEAD)’ është duke e mbështetur krijimin e një vargu të gjerë mekanizmash për zgjidhjen e kontesteve, duke përfshirë edhe  përmirësimin e efikasitetit të gjykatave dhe arbitrazhin, të cilat së bashku do të krijojnë një sundim më të mirë të ligjit, do të inkurajojnë zhvillimin ekonomik dhe do të ndihmojnë që gjykatat të lirohen nga stërngarkimi dhe rastet e shumta të pazgjidhura”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuci përshëndeti hapjen e qendrës së ndërmjetësimit në Pejë dhe i ftoi të gjithë ndërmjetësuesit, gjyqtarët dhe programin SEAD, që punojnë bashkërisht në ndërtimin e besimit më të mirë në Kosovë. Ai vuri në pah se institucionet e Kosovës janë në përkrahje të ndërmjetësimit dhe ftoi ndërmjetësuesit që ata të jenë fitues të drejtësisë dhe që qytetarët e Kosovës të mos zgjidhin forma tradicionale të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, por të zgjedhin këto forma moderne.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, pohoi se “si kryesues jemi të vetëdijshëm se ndërmjetësimi është institut komplementar i sistemit gjyqësor, dhe se plotëson procedurën gjyqësore kur mosmarrëveshja referohet nga gjykata në ndërmjetësim”. Më tutje  ai theksoi se kjo do të ndikoj pozitivisht në uljen e numrit të lëndëve në gjykata në dy mënyra: duke referuar lëndët në ndërmjetësim, si dhe duke ulur numrin e lëndëve të cilat palët mund të mos i dërgojnë fare në gjykatë por mund t’i drejtohen drejtpërdrejtë kësaj qendre ose ndërmjetësuesve.

Programi SEAD i USAID-it në Kosovë është i angazhuar në një varg aktivitetesh për të ndihmuar Komisionin për Ndërmjetësim të Ministrisë së Drejtësisë në hartimin e legjislacionit sekondar i cili kërkohet në bazë të Ligjit për Ndërmjetësim. Edhe kandidatët për ndërmjetësues janë përzgjedhur në bazë të konkurrencës si dhe është bërë trajnimi i tyre nga SEAD-i, në bashkëpunim me Projektin e BE-së për Binjakëzim.

Foto Galeria

Skip to content