
“Kjo është tentativa jonë e dytë në këtë drejtim, pasi që Gjykata Kushtetuese kishte një mendim tjetër nga synimi ynë fillestar i vitit të kaluar për të reformuar Këshillin si institucion kryesor për funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë, pavarësisht faktit që synimi ynë paraprak për reformën në Këshill, ishte validuar nga Komisioni i Venecias dhe partnerët ndërkombëtarë” u shpreh ministrja Haxhiu.
Megjithatë, është analizuar me kujdes vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe gjetjet e tyre kryesore, janë adresuar në versionin e ri të Projektligjit i hartuar në konsultimi me akterët kryesor dhe me interes në këtë proces, përfshirë ata institucional, shoqërinë civile dhe partnerët tanë.
Meqë një prej problemeve kryesore të Këshillit Prokurorial vazhdon të jetë përbërja jo-pluraliste, e pa balancuar dhe në shpërputhje me standardet ndërkombëtare, ku dominojnë prokurorët, çka edhe është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, në Projektligjin e ri propozohet që si anëtar permanent të Këshillit të jenë 7 anëtarë, prej të cilëve 3 prokurorë, Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare, dhe 3 anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre në mënyrë që të adresohen gjetjet e Gjykatës.
Përveç këtij ndryshimi esencial për funksionimin e Këshillit, përmes këtij Projektligji përcaktohen kritere shtesë për anëtarët e Këshillit, ndër të tjera që të kenë integritet dhe aftësi menaxheriale, pastaj rregulla për eliminimin e konfliktit të interesit, publikimin e vendimeve të Këshillit dhe aspekte tjera të ngritjes së transparencës, përfshirë edhe të drejtën për ankesë të palëve të pakënaqura me vendimet e Këshillit për emërim dhe ri-emërim të prokurorëve. Është rregulluar edhe kuorumin e Këshillit, që të jemi në pajtim edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.