Skip to content
Qeveria ka miratuar Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve

Qeveria ka miratuar Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve

Prishtinë, 28/09/2011

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 39-të të mbajtur sot, ka miratuar Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve të sponsorizuar dhe përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, në koordinim dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Miratimi i këtij projektligji paraqet njërin ndër angazhimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës për plotësimin e infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë, si dhe rregullimin e marrëdhënieve juridike të detyrimeve, konform koncepteve bashkëkohore të ekonomisë së tregut.

Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve do të shërbejë si bazë kryesore juridike për qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe të hollave në ekonominë e tregut, duke pasur parasysh faktin se furnizimi me mallra, shërbime dhe të holla në ekonominë e tregut, kërkon një ambient me siguri ligjore. 

Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh realitetin e ri në Kosovën e pasluftës. Përmbajtja e këtij ligji është orientuar në përshtatjen dhe përfshirjen e parimeve bazë të ekonomisë së tregut dhe koncepteve evropiane, e ndërkombëtare të përfshira në UNICITRAL dhe UNIDROIT.

Harmonizimi i rendit juridik të vendit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, po ashtu është me rëndësi të veçantë për bizneset, konsumatorët dhe ekonominë në tërësi, si dhe për funksionimin e mirëfilltë të gjykatave.  

Miratimi i këtij projektligji është në funksion të plotësimit të infrastrukturës ligjore në sektorin e Drejtësisë në Republikën e Kosovës, si dhe rregullimit e avancimit të marrëdhënieve të detyrimeve në pajtim me standardet dhe parimet e të drejtës së detyrimeve. 

Skip to content