Skip to content
Qeveria ka miratuar sot 4 projektligje dhe një Udhëzim Administrativ të propozuara nga Zëvendësministri Sallahu në emër të Ministrisë së Drejtësisë

Qeveria ka miratuar sot 4 projektligje dhe një Udhëzim Administrativ të propozuara nga Zëvendësministri Sallahu në emër të Ministrisë së Drejtësisë

Prishtinë, 10/12/2021

Zëvendësministri Sallahu, gjatë prezantimit të tij ka paraqitur katër projektligje që janë:

  • Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin  Nr. 05/L-118,
  • Projektligji për kompensimin e viktimave të krimit,
  • Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave,
  • Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Zëvendësministri Sallahu theksoi se përmes Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin  Nr. 05/L-11 janë paraparë dispozita që përjashtojnë nga përmbarimi të hyrat nga pakot emergjente apo masat specifike të miratuara nga Qeveria për rrethana të jashtëzakonshme apo emergjente dhe si dispozita që mundësojnë kufizimin e përmbarimit në të ardhurat për pensionin deri në pjesën që e tejkalon shumën e lartësinë së pagës minimale dhe përjashtimin nga përmbarimi për të ardhurat në bazë të shtesave për fëmijë.

Gjatë prezantimit të Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Zëvendësministri shprehu se ky projektligj ka për qëllim funksionalizimin sa më efikas të Programit për kompensim të viktimave të krimit dhe procedurave që lidhen me të. Sallahu vuri theksin tek çështjet më të rëndësishme qe janë të parapara në ketë Projektligj përfshirë: Zgjatjen e afateve të  aplikimit, ri-definimi e llojeve të dëmeve të kompensueshme, lartësitë e kompensimeve dhe Qasja e menjëhershme në kompensim.

Sa i përket Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, Zëvendësministri shtoi se me ketë projektligj përmbyllet reformimi i pakos së ligjeve kundër-korrupsion, duke paraparë disa pika të reja që vijnë si përgjigje ndaj nevojave bashkëkohore për të targetuar çështjet e pasurisë së zyrtarëve publikë.

Lidhur me Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sallahu njoftoi se qëllimi i kësaj Marrëveshje është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.

Përveç projektligjeve të lartpërmendura, Zëvendësministri Sallahu ka prezantuar Projekt Udhëzimi Administrativ i cili do të mundësoj ofrimin e shërbimeve nga fusha e mjekësisë ligjore në mënyrë institucionale duke eliminuar mundësinë e kompensimit për kryerjen e ekzaminimeve mjeko – ligjore pa bazë ligjore.

Pjese e pakos së prezantuar sot para kabinetit qeveritar, ka qenë edhe Propozim-Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24 të datës 11.08.2021. Sallahu tha se ky propozimi bazohet në Ligjin Nr. 03/L-95 për të drejtat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politik dhe Rregulloren nr. 07/2013 për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish të dënuarve politik  me qellim që komisioni të jetë i plotë dhe funksional.

Projektligjet e prezantuara nga Zëvendësministri Sallahu, kanë marrë aprovim në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe si të tilla këto projektligje dhe UA do të kontribuojnë më tej në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në vend.  

Skip to content