Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 3-të, ka miratuar në parim nismën për aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën Ndër-Amerikane për Vuajtjen e Dënimeve Penale Jashtë Vendit, me qëllim forcimin sundimit të ligjit, bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Qëllimi i kësaj Konvente është forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën e transferimit të personave të dënuar, me qëllim që personat e dënuar të vuajnë dënimin në shtetin e tyre të origjinës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, tha Ministrja Gërvalla në ekspozen e kësaj nisme.
Ajo shtoi se kjo nismë do të kontribuojë në zgjerimin e bashkëpunimit juridik të Republikës së Kosovës, veçanërisht me shtetet e Amerikës Latine, si dhe në krijimin e mundësive për vuajtjen e dënimit më afër familjes dhe shoqërisë, duke mbështetur proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.
Në të njëjtën kohë, siç tha edhe Ministrja Gërvalla, aderimi në Konventë do të kontribuojë në menaxhimin më efikas të sistemit korrektues dhe në lehtësimin e kostove përkatëse.