
Në mbledhjen e mbajtur dje, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar draftin e Projekt-Kodit të Procedurës Penale të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, Këshillin Gjyqësor e Këshillin Prokurorial të Kosovës, Gjykatën Supreme dhe EULEX-in.
Në prezantimin e këtij projekt-kodi para kabinetit qeveritar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një draft fillestar të cilin me pas e ka shpërndarë tek partnerët e saj, ku janë munduar që të gjejnë kompromiset më të duhura për të gjitha palët, duke synuar gjithsesi dy gjëra kryesore: procedurë më efikase dhe garantim të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas Ministrit Kuçi, Ministria e Drejtësisë së bashku me KGJK-në, KP-në Ambasadën Amerikane dhe EULEX-in, janë përkujdesur që të inkorporojnë praktikat më të shquara botërore të cilat garantojnë një standard të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shtoi se gjatë përgatitjes së këtij kodi, kanë shqyrtuar në detaje praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për t’u siguruar që çdo kufizim dhe çdo liri që jepet të jetë plotësisht në pajtueshmëri me Konventat ndërkombëtare dhe standardet Evropiane, po ashtu, tha se Projekt-Kodi i ri i Procedurës Penale do të jetë më ndryshe në shumë aspekte nga kodi aktual.
Duke u bazuar në rregulloret e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Projekt-Kodi i ri i Procedurës Penale, do të procedohet në Kuvend.