Skip to content
Qeveria voton Projekt-Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës

Qeveria voton Projekt-Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 29/12/2021

Projekt-Ligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, është hartuar me kujdes të veçantë dhe duke pasur parasysh dispozitat kushtetuese, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare. Me miratimin e këtij projekt-ligji, kompletohet legjislacioni me fokus në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përkatësisht konfiskimit të pasurisë që nuk mund të justifikohet.

Ministrja Haxhiu theksoi se “Nga vlerësimi përmes Koncept-Dokumentit ka rezultuar që është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili do të ketë fokus vlerësimin e pasurisë së zyrtarëve publik në raport me të hyrat e tyre” duke shtuar më tej se i njëjti është hartuar me kujdes të madh duke pasur për bazë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe standardet ndërkombëtare.

Po ashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe Projekt-Kodi Civil i Republikës së Kosovës, i cili është në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Kodifikimi i të Drejtës Civile, pra nxjerrja e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, ka për qëllim unifikimin dhe harmonizimin e ligjeve të fushës civile në një tërësi.

Sipas ministres Haxhiu, Kodifikimi i të Drejtës Civile, pra nxjerrja e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, ka për qëllim unifikimin dhe harmonizimin e ligjeve të fushës civile në një tërësi- Kod (ligj i veçantë) që përmbledhë në vete ligjet e harmonizuara të fushës së njëjtë si: Detyrime, Pronësore, Familjare, Trashëgimore.

Skip to content