
Avokati shtetëror, Shefqet Hasimi, u suspendua dhe ka filluar procedura disiplinore kundër tij sepse në komunikim zyrtar ka bërë deklarata të pavërteta në raport me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke e akuzuar atë se ka bërë privatizimin e kundërligjshëm të Hotelit Grand.
Avokati shtetëror, Sheftqet Hasimi, e ka bërë këtë deklaratë të pavërtetë edhe pse Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për Çështjet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në dy instanca e ka vërtetuar se privatizimi i Hotelit Grand ka qenë i ligjshëm. Kjo çështje është ngritur edhe deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka refuzuar ankesën. Republika e Kosovë është paditur nga Mabco Construction në arbitrazh ndërkombëtar për dëmshpërblim lidhur me rastin e privatizimit të Hotel Grand dhe në këtë procedurë Republika e Kosovës mbrohet nga Avokatura Shtetërore, pjesëtar i të cilës është vet Shefqet Hasimi. Deklaratat e tij të pavërteta e dëmtojnë pozicionin juridik të Republikës së Kosovës në procedurën e arbitrazhit dhe janë jo vetëm joprofesionale por edhe të pandershme, kur si avokat shtetëror e ka për detyrë të mbrojë Republikën e Kosovës.
Nëse avokati shtetëror, Shefqet Hasimi, ka fakte se procedura e privatizimit të Hotel Grand ka elemente korruptive, si avokat shtetëror është dashur të ngrit këtë çështje te organet kompetente, gjë që nuk e ka bërë, e jo të bëjë deklarata që dëmtojnë interesin juridik të Republikës së Kosovës. Kundër veprimeve joprofesionale të avokatit shtetëror Shefqet Hasimi, Ministria e Drejtësisë ka pranuar ankesa të shumta nga Ministritë dhe Agjencitë shtetërore për qasje joprofesionale, kulmi i të cilave ka qenë deklarata lidhur me Hotelin Grand, dhe për të cilat tani do t’i nënshtrohet procedurës së disiplinimit.