Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ka nënshkruar sot Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden.
“Marrëveshja mes dy vendeve tona mike pritet ndër të tjera të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional, dhe njëkohësisht krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, tha Ministrja Gërvalla.
Përmes kësaj Marrëveshjeje, Ministrja Gërvalla tregoi se do të përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë kushtet për ofrimin e ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen në kërkimin dhe realizimin e kësaj ndihme.