
Në ditën e parë të forumit, Republika e Kosovës përmes përfaqësuesve të saj në këtë takim, ka paraqitur të arriturat kryesore në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit juridik regjional dhe ndërkombëtar dhe gjithashtu, ka ngritur çështjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, marr si shkas sulmin e fundit terrorist të dirigjuar nga Serbia, në territorin e Republikës së Kosovës i datës 24 shtator.
Në mes tjerash në takim, është paraqitur bashkëpunimi shumë i mirë i Republikës së Kosovës me disa nga vendet e rajonit si dhe më gjerë, njëkohësisht arritja e marrëveshjeve të ndërsjella me vendet si Republika e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Kroacisë dhe vende të tjera si Konfederata Zvicerane, Franca e të tjera.
Sa i përket bashkëpunimit regjional, paqes dhe stabilitetit si premisa thelbësore të vendeve demokratike, përfaqësuesit e Kosovës në këtë takim, edhe njëherë theksuan sulmet e grupeve terroriste, të mirë-organizuara dhe të përgatitura me arsenal të rëndë armësh ndaj Republikës së Kosovës, të cilat janë të mbështetura, të financuara dhe lidhura me Serbinë.
Nga një akt i tillë në të cilin janë sulmuar autoritetet e rendit dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës, një rreshter i Policisë së Kosovës është vrarë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policor ishin plagosur. Një sulm i tillë, pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, duhet dhënë përgjegjësi të gjithë akterët e përfshirë, u theksua në takim.
Tutje u theksua nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë të shteteve të rajonit, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të Evropës.
Republika e Kosovës, ashtu siç ka bërë deri tani, mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë me vendet e rajonit në kuptim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, por gjithashtu, mbetet e angazhuar për avancimin e bashkëpunimit në kontekstin regjional në çështjet e interesit të përbashkët.
Ditën e parë, janë diskutuar edhe tema të tjera që shkojnë drejt fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, ne veçanti aspektet e fuqizimit të bashkëpunimit të institucioneve të drejtësisë, siç janë digjitalizimi i sistemeve të drejtësisë, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar në çështjet civile, tregtare dhe ato penale si dhe reformat të cilat janë duke ndodhur në shtetet e rajonit e të cilat shërbejnë për lehtësimin e anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.
Forumi organizohet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), dhe mbështetet nga projekti GIZ Gjerman.