
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, në fjalimin e tij, ka theksuar se synimi përfundimtar i Rishikimit Funksional mbetet forcimi i bazës së sistemit të drejtësisë dhe përcaktimi i trasesë zhvillimore të këtij sistemi në të ardhmen, brenda një mendësie demokratike dhe progresive.
“Jemi të palëkundur që me Rishikimin Funksional ta transformojmë mendësinë e të hartuarit politika shtetërore. Rishikimi nuk duhet të përfundojë me rekomandime për hartim të ligjeve që do të duhej të amendamentoheshin ende pa hyrë në fuqi. Rishikimi nuk duhet të përfundojë me rekomandime për të krijuar apo shuar mekanizma pa e kuptuar se ku qëndron problemi dhe përgjegjësia tek mosfunksionimi i atyre ekzistuese. Rishikimi duhet të përfundojë me rekomandime që e bëjnë sistemin një adresë të besueshme për secilin qytetar, për t’i zgjidhur problemet e tyre dhe për të siguruar të ardhmen e tyre” ka thënë Sekretari Marmullakaj.
Në punëtori është bërë prezantimi i mbështetjes së projektit të BE-së në procesin e Rishikimit Funksional dhe të tri dokumenteve të politikave që janë në hartim e sipër, si dhe është disktutuar për efikasitetin e drejtësisë, kontributin e profesioneve që lidhen me drejtësinë si dhe për mekanizmat anti-korrupsioni në kornizën institucionale.