U.d Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka pritur në takim Shefin e Misionit të EULEX-it, Gjeneralmajorin Giovanni Pietro Barbano, me bashkëpunëtorë.
Takimi u zhvillua në institucionin e Burgut të Sigurisë së Lartë.
Në këtë takim Sallahu theksoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës tashmë është konsoliduar si një ndër më të avancuarit në rajon, si për nga programet rehabilituese dhe standardet profesionale të stafit, ashtu edhe për nga infrastruktura moderne që ofron.
U.d Ministri Sallahu nënvizoi përkushtimin e institucioneve të drejtësisë për të vazhduar më tutje në rrugën e reformave, duke fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe garantimin e një sistemi korrektues shembullor.
Nga ana e tij, Gjeneralmajori Barbano vlerësoi se arritjet e deritanishme në Shërbimin Korrektues përbëjnë jo vetëm rezultat të një pune të përbashkët, por edhe një burim krenarie për Kosovën dhe partnerët e saj ndërkombëtarë.
Ai ritheksoi gatishmërinë e EULEX-it për të mbështetur më tej përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë fushë jetike për sundimin e ligjit.
Në kuadër të vizitës, shefi i misionit të Eulex-it Gjeneralmajori Barbano pati rastin të shohë nga afër hapësirat e Burgut të Sigurisë së Lartë, duke u njohur me funksionalitetin, standardet dhe rezultatet që ky institucion tashmë garanton.