Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier.
Sallahu falënderoi ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës për Republikën e Kosovës dhe për raportet e shkëlqyera ndërmjet të dyja vendeve.
Në anën tjetër, Ambasadori Cuvelier uroi Sallahun për pozitën e ushtruesit të detyrës së Ministrit të Drejtësisë, duke ofruar gatishmëri e bashkëpunim tutje në çështjet e interesit të të dyja vendeve.
Në takim, u diskutuan çështje të interesit të përbashkët si Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale e cila është finalizuar dhe ndodhet në proces nënshkrimi, bashkëpunimi i suksesshëm në luftimin e krimit të organizuar dhe atij transnacional, por gjithashtu u diskutuan edhe tema të tjera në kuadër të sundimit të ligjit, në drejtim të fuqizimit të tij.
Gjatë takimit, ud.ministri Sallahu, njoftoi ambasadorin Cuvelier për rezultatet përgjatë mandatit të cilat ndërlidhen me reformën në drejtësi dhe luftimin e korrupsionit, qasjen në drejtësi dhe adresimin e dhunës në familje.
Në fillim të muajit tetor, Ministrja e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës planifikon ta vizitojë Republikën e Kosovës, me ç’rast Sallahu do ta pres në takim në të cilin do të diskutohen tema të interesit të përbashkët, në dritën e thellimit të marrëdhënieve dhe fuqizimit të sundimit të ligjit.