
Ministrja Haxhiu ka theksuar se stereotipet tradicionale ku burrat dominojnë përmes ushtrimit të forcës dhe dhunës ndaj grave, bënë që maskuliniteti toksik të jetë i lidhur ngushtë me femicidin, me ç'rast as shoqëria jonë nuk është imune ndaj rasteve kur gratë përfundojnë jetën me fatalitet, të dhunuara e vrarë nga burrat.
Në këtë aspekt, Ministrja e Drejtësisë, ka shprehur inkurajimin e saj për të gjitha lëvizjet feministe, organizatat të cilat me angazhimin e tyre kontribuojnë drejt ndërgjegjësimit kolektiv kundër dhunës me bazë gjinore, duke theksuar edhe rëndësinë e pazëvendësueshme të institucioneve që duhet të kontribuojnë në minimizimin e dhunës.
Forcimi dhe zbatimi i ligjit, edukimi i mirëfilltë, si dhe angazhimi aktiv i organizatave dhe komunitetit në përgjithësi janë format në të cilat duhet të punojmë pa u lodhur, në mënyrë që të ndërtojmë një ambient të sigurt, ku respektohet integriteti fizik dhe ekonomik i grave, ku rritet mbështetja e ndihma ndaj viktimave, dhe ku dhunuesit marrin dënimet meritore.
Ministrja Haxhiu ka përmendur edhe një sërë hapash që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë gjatë këtij mandati, për të forcuar legjislacionin dhe për të ndërtuar mekanizma të mirëorganizuar që parandalojnë dhe luftojnë dhunën me bazë gjinore, dhe formave të tjera të dhunës.