Skip to content
Shërbimi shëndetësor i institucioneve korrektuese dhe të paraburgimit, nga Ministria e Drejtësisë kalon në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë

Shërbimi shëndetësor i institucioneve korrektuese dhe të paraburgimit, nga Ministria e Drejtësisë kalon në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë

Prishtinë, 13/06/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy ministrive, me të cilën do të bëhet delegimi i kompetencave për ofrimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Pas nënshkrimit, Ministri Kuçi tha se si Ministër i Drejtësisë ka pasur një varg prioritetesh për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe një ndër këto prioritete ka qenë që edhe shërbimi shëndetësor për të burgosurit, apo për ata që gjenden në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit, të jetë i njëjtë me qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës. 
“Unë  besoj që me këtë veprim që po e bëjmë sot, po japim mundësinë që edhe ata të kenë qasje të njëjtë, mundësi të njëjta për trajtim shëndetësor sikur të gjithë qytetarët e tjerë. Ju e dini slloganin tim: Sundimi i ligjit të sundohet me ligj, që nënkupton që edhe ata që kanë obligime ligjore në shërbimin korrektues, poashtu e kemi obligim ligjor që t’i trajtojmë në mënyrë të barabartë”, tha Kuçi. 
Ministri Agani tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për MSh-në dhe  përgjegjësi e shtuar.  “Është një moment që e dëshmon se reforma e sistemit shëndetësor po jep rezultatet e para konkrete, duke dëshmuar faktin se reforma shëndetësore në qendër të vëmendjes e ka qytetarin e Kosovës, madje edhe atë që për momentin është klient i shërbimit korrektues të Kosovës”
Ministri Kuçi falënderoi Ministrin Agani që ky prioritet është amandamentuar në Ligjin për Shëndetësi, dhe tani është edhe në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Dr. Skënder Syla, shef i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka përshëndet këtë hap drejt fuqizimit të shërbimeve shëndetësore në shërbimin korrektues të Republikës së Kosovës. “Kujtoj që me punën që është bërë në të kaluarën edhe në kuadër të MD-së është bërë një përparim i dukshëm në vitet e kaluara, sepse ne kemi pasur edhe instrumente vlerësuese të OBSh-së të cilat në raporte e kanë cilësuar shumë lart shërbimin shëndetësor në kuadër të sistemit të burgjeve të Kosovës dhe sistemin korrektues dhe ky do të jetë një hap tutje drejt avancimit, apo përparimit të këtyre shërbimeve. Përvoja e Kosovës dhe ky transfer besoj se do të jetë një model edhe për vendet e tjera për një bashkëpunim të mirëfilltë ndërministror, por edhe përparim të mëtutjeshëm të shërbimeve “ tha Syla. 
Delegimi i kompetencave nga MD në MSh, do të mundësoj ofrimin e kujdesit shëndetësor kualitativ për të gjithë personat që janë në mbajtje të dënimit në institucionet korrektuese, me standarde ekuivalente me ato që ofrohen për qytetarët në liri, në pajtim me rregullat evropiane për burgje dhe Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për trajtim shëndetësor adekuat dhe profesional.

Foto Galeria

Skip to content