Skip to content
Sipas sektorit privat, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa adekuat për kompletimin sa më të shpejtë të infrastrukturës ligjore sa i përket adresimit të çështjeve komerciale

Sipas sektorit privat, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa adekuat për kompletimin sa më të shpejtë të infrastrukturës ligjore sa i përket adresimit të çështjeve komerciale

Prishtinë, 08/07/2021

Për një kohë të gjatë, bizneset avokojnë për miratim sa më të hershëm të këtij projektligji, në qëllim të adresimit të nevojave imediate të bizneseve, për sa i përket funksionimit të sistemit gjyqësor në zgjidhjen e çështjeve komerciale.

Moderatori i diskutimit, avokati Ardi Shita, mirëpriti z. Sallahu duke theksuar mirënjohjen ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Kurti për adresimin e menjëhershëm të çështjeve të ndërlidhura me funksionalizimin e Gjykatës Komerciale dhe përcjelljen ekspeditive të këtij projektligji për miratim në Qeveri.

Gjatë diskutimit, zëvendësministri Sallahu theksoi ndikimin që kjo Gjykatë do ketë në zgjidhjen e lëndëve komerciale, shmangien nga korrupsioni dhe qasjen më të lehtë në drejtësi, duke rritur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve dhe stafin përkatës si dhe duke përcaktuar procedura specifike me afate më të shkurtra për zgjidhjen e lëndëve të natyrës komerciale. Po ashtu, z. Sallahu potencoi rëndësinë e kësaj Gjykate në ekonominë e vendit përmes nxitjes së investimeve dhe rrjedhimisht kjo do të ketë impakt në rritje të punësimit.

Me kërkesë të sektorit privat dhe me gatishmërinë e shprehur nga z. Sallahu, u dakorduan që projektligji të miratohet në Kuvend sa më parë që të jetë e mundur.

Paralelisht me projektligjin për Gjykatën Komerciale, në një kohë të shpejtë Qeveria do miratojë edhe projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private që do adresojnë problematikën apo sfidat e personave privat, në këtë rast edhe bizneseve, në çështjet me element ndërkombëtar.

Përveç kësaj, Ministria e Drejtësisë do të përfundojë hartimin e Projektligjit për Ekspertiza Gjyqësore, e cila do të ndikojë në vlerësimin e saktë të vlerës së kontesteve dhe çështjeve tjera që ndërlidhen me vlerën e kontesteve komerciale.

Një infrastrukturë e tillë ligjore do kompletojë në një masë të caktuar pasqyrën e nevojshme ligjore për adresimin e nevojave të bizneseve.

Bizneset e Odës Ekonomike Amerikane mirëpresin miratimin e infrastrukturës ligjore të lartpërmendur kurse Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Sallahu i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e organizatave dhe institucioneve relevante që të vazhdojnë të kontribuojnë që kjo infrastrukturë ligjore të jetë sa më e kompletuar, me qëllim të jetësimit të interesave të mirëfillta të bizneseve.

Skip to content