Skip to content
Mbahet ceremonia e betimit të 164 ekspertëve të rinj gjyqësor

Mbahet ceremonia e betimit të 164 ekspertëve të rinj gjyqësor

Prishtinë, 27/05/2025

Është mbajtur ceremonia e betimit të 164 ekspertëve të rinj gjyqësor, të cilët janë emëruar për herë të parë nga Ministria e Drejtësisë, në bazë të ligjit të ri për ekspertët gjyqësorë.

Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, fjalë rasti mbajti Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, i cili theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe rolin thelbësor që ekspertët gjyqësor luajnë në sistemin e drejtësisë.

“Ky proces është dëshmi e përkushtimit tonë për forcimin e transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ekspertët gjyqësorë mbeten një hallkë kyçe në ndihmë të gjykatave për të marrë vendime të drejta dhe të bazuara në prova shkencore e profesionale”, u shpreh zëvendësministri në detyrë z. Sallahu.
Emërimi dhe betimi i këtyre ekspertëve vjen pas një procesi të rregullt ligjor dhe përzgjedhjeje, në përputhje me standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit.
“ Prandaj, profesionalizmi, ndershmëria dhe përkushtimi juaj nuk janë thjesht vlera të dëshirueshme—janë domosdoshmëri. Në një kohë kur sistemi i drejtësisë kërkon më shumë transparencë dhe efikasitet, ekspertët gjyqësorë nuk mund të jenë thjesht monitorues të procesit. Ju jeni protagonistë të së vërtetës, aktorë kyç që ndikojnë në vendimet më të rëndësishme juridike. Pa punën tuaj, pa analizat tuaja të paanshme dhe pa përkushtimin tuaj ndaj së drejtës, sistemi ynë gjyqësor do të ishte më i brishtë dhe më pak i besueshëm”, tha zëvendësministri në detyrë z. Sallahu.
Ministria e Drejtësisë shpreh falënderim për të gjithë të përfshirët në këtë proces dhe u uron ekspertëve të rinj suksese në ushtrimin e përgjegjësive të tyre profesionale në shërbim të drejtësisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“ Andaj, si Ministri do të angazhohemi që roli i ekspertëve gjyqësorë të fuqizohet edhe më tej. Gjithashtu si Ministri e Drejtësisë do të mbështesim integritetin e juaj dhe do të marrim masa që garantojnë që njohuritë dhe profesionalizmi të përdoren gjithmonë në shërbim të drejtësisë. Sot, jo vetëm që festojmë licencimin dhe betimin tuaj, por riafirmojmë besimin tonë në rolin jetik që ju luani në mbrojtjen e ligjit dhe të së drejtës. Kësisoj, drejtësia ka nevojë për ju, shoqëria ka nevojë për ju, dhe besimi i publikut në ligjin varet nga puna e paanshme dhe profesionale që ju do të bëni çdo ditë!”, tha zëvendësministri në detyrë z. Sallahu.
Skip to content