
Ministrja Haxhiu tha se "në shtatë vitet e fundit, në Kosovë kanë ndodhur më shumë se 300 raste të dhunimeve seksuale e të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Gjatë kohës së pandemisë krahas rritjes së numrit të dhunës në familje, po ashtu është raportuar numri më i madh i dhunimeve seksuale, 64 raste të dhunimit, 48 raste të ngacmimit seksual dhe 56 raste të tjera të veprës penale "sulm seksual".
Këto raste në Policinë e Kosovës janë të raportuar si vepra penale në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të kapitullit "Veprat penale kundër integritetit seksual".
Bazuar në Strategjinë dhe Planin e Veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore- 2022-2026, është paraparë hartimi i Protokollit Shtetëror si dokument në adresimin e dhunimeve seksuale.
Qëllimi i këtij Protokolli është të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve me në qendër viktimën si dhe të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë, si dhe të sigurojë një tërësi procedurash standarde të veprimeve të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë, veprime këto që duhet të ndërmerren për të siguruar këtë përgjigje të plotë ndaj të rriturave/rriturve apo të miturave/miturve të dhunuar seksualisht në familje apo jashtë saj.