
Për: Gazetën “Zëri”, “Tribuna Shqiptare” dhe “Express”
Nga: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Drejtësisë
Sqarim rreth shkrimeve të botuara në të përditshmet “Zëri”, “Tribuna Shqiptare” dhe “Express”, 16 janar 2012, në të cilat është publikuar Vendimi i OSHP-së PSH, NR. 399/11, i datës 13.01.2012, lidhur me tenderin e Ministrisë së Drejtësisë: “Servisimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve te IT-se” Nr. MD 21500-11-055-221.
Lidhur me Vendimin e lartcekur, Ministria e Drejtësisë, dëshiron të sqarojë opinionin se është duke i shqyrtuar dhe analizuar arsyet mbi bazën e të cilave është mbështetur Vendimi i OSHP-së, përmes të cilit është anuluar Vendimi i autoritetit kontraktues, duke obliguar Ministrinë që në rast ri-tenderimi tu përmbahet në tërësi rekomandimeve të ekspertit të OSHP-së.
Nga shkresat e lëndës shihet se Komisioni vlerësues i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Organizata joqeveritare “FOL”, e cila monitoron procedurat e prokurimit të Ministrisë, gjatë ekzaminimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të kërkuar sipas kushteve të dosjes së tenderit, ka konstatuar se operatori ekonomik ”SBC Computer” Prishtinë, që ka parashtruar ankesë, nuk ka qenë ofertues i përgjegjshme sa i përket dokumentacionit të kërkuar.
Ministria e Drejtësisë, si në çdo rast tjetër të ndonjë vendimi të organit të shkallës së dytë apo të ndonjë organi tjetër, edhe në këtë rast është duke analizuar Vendimin në fjalë dhe lëshimet e konstatuara dhe në bazë te të gjeturave do të merren veprime konkrete brenda afatit ligjor, duke përfshirë edhe procedurë disiplinore ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë proces.
Sinqerisht,
Zyra për Komunikim Publik në MD
Prishtinë, 16 janar 2012