
Javën që kaloi në mediet ,kryesisht Maqedonase, janë raportuar disa deklarata në emër të Ministrit të Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi. Ministria e Drejtësisë ndjehet e obliguar për të qartësuar opinionin publik se deklarata në fjalë nuk ka qenë deklaratë e z. Kuçi dhe as e ndonjë zyrtari tjetër të Ministrisë së Drejtësisë.
Në deklaratën e pretenduar të jetë e z. Kuçi, është thënë që dy personat e kërkuar nga shteti i Maqedonisë për t’u ekstraduar atje kanë shtetësi kosovare. Kjo nuk është deklaruar asnjëherë nga MD. Për më tepër, për të kundërshtuar pretendimet e disa mediave se kjo mund të jetë një taktikë e shtetit të Kosovës për të evituar ekstradimin, Ministria e Drejtësisë rikujton mediet dhe opinionin publik që ka pasur më parë edhe raste kur shtetas kosovarë janë ekstraduar me sukses në Maqedoni. Kjo është mundësuar, natyrisht, pas vendimit të Gjykatës kompetente se janë plotësuar kushtet për ekstradim.
Kërkesa për ekstradim të shtetasve maqedonas është akoma në pritje për t’u vendosur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pas marrjes së vendimit nga Gjykata përgjegjëse, Ministria e Drejtësisë do të marr vendimin final në përputhje me atë të Gjykatës. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë është në koordinim të vazhdueshëm me Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë dhe autoritetet Maqedonase, me të cilët po i diskuton të gjitha alternativat ligjore procedurale të cilat mund të merren në këtë rast.