
Ministria e Drejtësisë ka përcjellë me vëmendje diskutimet e fundit rreth pozitës së femrës në shoqëri dhe çështjet e barazisë gjinore, me fokus të veçantë në rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile për amandamentimin e Ligjit për Barazinë Gjinore dhe Ligjin Kundër Diskriminimit, me qëllim të futjes së dispozitave të veçanta që do të parashohin kërkimin e "favoreve seksuale në punë si vepër penale”.
Meqenëse, Ministria e Drejtësisë është draftuese e Kodit Penal të Kosovës, si akt ligjor bazik ku përcaktohen veprat kundërligjore, konsideron të nevojshme të sqarojë për publikun e gjerë dhe organizata joqeveritare se Kodi Penal përmban dispozita të qarta sa i përket çështjes së "favoreve seksuale për avancim në pozitë". Ky Kod, si dhe Kodi i Procedurës Penale, janë hartuar në përputhje me standardet dhe legjislacionin e BE-së. Me Kodin e ri Penal, janë paraparë kriminalizuar një sërë veprimesh, si dhe ashpërsuar dënimet për kryesit e veprave penale, ndër tjera edhe për kryesit e veprave penale të cenimit të integritetit seksual dhe abuzimit me pozitën zyrtare.
Përkatësisht, Kodi i ri Penal, përmban kapitull të veçantë që përcakton veprat penale kundër integritetit seksual (Kapitulli XX), ku parashihen një sërë veprash penale ndaj veprimeve që cenojnë integritetin personal. Më konkretisht neni 239 i Kodit Penal, parasheh si vepër penale të dënueshme me 1 deri në 5 vite burgim për personat që abuzojnë me pozitën, autoritetin apo profesionin e tyre për kryerjen e veprës penale të abuzimit seksual. Ndër rrethanat që përcaktohen si keqpërdorim i pozitës, është edhe kur personi e keqpërdor fuqinë, apo kompetencën e tij/saj në çështjet e punësimit (1.1). Për më shumë, në nenin në fjalë parashihet edhe vepra penale e nxitjes së tjetrit për kryerjen e veprës penale të cenimit të integritetit seksual.
Dispozitat në fjalë, duhet të lexohen dhe interpretohen në mënyrë kumulative me nenin 442 të Kodit Penal, ku në mënyrë specifike përcaktohen rrethanat në të cilat konsiderohet se një person ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës, apo autoritetit zyrtarë. Për më konkretisht, në mesin e veprimeve që konsiderohen kriminale, një person mund të dënohet për veprimet që kanë pasur për qëllim keqtrajtimin e një personi tjetër, keqpërdorimi i personelit, si dhe shkaktimi i pengesave ndaj realizimit të të drejtave ligjore nga personat e tjerë. Për veprat penale Kodi parasheh dënime prej 6 muaj deri në 5 vite heqje lirie.
Prandaj, mund të konkludohet se, Kosova veçse ka një kornizë koncize ligjore sa i përket kriminalizimit të veprimeve të “favoreve seksuale për avancim në pozita”, duke pasur parasysh se veprimet e tilla janë të specifikuara si veprime kundërligjore në Kodin Penal si akti më i lartë në fushën penale. Ligjet e tjera mund të interpretohen dhe zbatohen paralel dhe në përputhje me dispozitat e Kodit Penal.
Ministria e Drejtësisë, fton të gjitha institucionet, si publike, ashtu edhe private që respektojnë dispozitat e Kodit Penal dhe ligjeve të tjera në fuqi me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta pa asnjë lloj diskriminimi. Njëkohësisht Mistria e Drejtësisë, falënderon organizatat joqeveritare për punën e tyre në monitorimin e institucioneve publike me qëllim të garantimit më të lartë të të drejtave të njeriut dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Ministri i Drejtësisë, prof. Dr. Hajredin Kuçi, shpreh gatishmërinë e tij për t`u takuar me organizatat e shoqërisë civile dhe për të diskutuar për çështjen në fjalë me qëllim të forcimit të mekanizmave zbatues të ligjit.