
Ministria e Drejtësisë ka përcjellë me vëmendje diskutimet në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, dt. 9.3.2015 rreth çështjes së të gjeturave nga vizita e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe shqetësimeve në lidhje me çështjen e amnistisë, Ministria e Drejtësisë paraqet sqarimin si në vijim:
Ministria e Drejtësisë ka propozuar Amendamentin nr 23, për përfshirjen e amnistisë si kategori kushtetuese, dhe ka hartuar projektligjin për amnisti, i cili me datë 27 Qershor 2013 është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës me datë 01 Korrik 2013, e ka shqyrtuar projektligjin për amnisti dhe i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e tij, dhe si rezultat i njëjti ishte futur si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e mbajtur me datë 04 Korrik 2013 për shqyrtimin e parë.
Me rastin e propozimit të Projektligjit të atëhershëm për amnisti, në draftin e propozuar nga MD, ishte përfshirë neni 3, i cili ishte i natyrës gjithëpërfshirëse, ku në paragrafin 1 përcaktonte se: “të gjithë kryerësit e veprave penale në vijim të kryera deri më datë 20 Qershor 2013, përfshirë edhe personat kundër të cilëve nuk ka filluar ndjekja penale, personat të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji gjenden në mbajtje të dënimit me burgim në Republikën e Kosovës, apo ende nuk kanë filluar mbajtjen e dënimit me burgim ose pas mbajtjes së atij dënimi janë transferuar jashtë Republikës së Kosovës, e të cilët me vendim të formës së prerë janë dënuar par vepër penale të paraparë me ligjet e Republikës së Kosovës për këto vepra penale lirohet nga ekzekutimi 20 % i dënimit të shqiptuar me burgim……..” për të vazhduar pastaj me specifikimin e veprave penale.
Për më tepër në paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 3, përcaktohej si në vijim: paragrafi 2 “personat nga paragrafi 1 i këtij neni (nenit 3), të cilët për herë të parë në formën e prerë janë dënuar me dënim me burg deri në tre (3) muaj lirohen në tërësi nga ekzekutimin i dënimit me burg”, paragrafi 3 përcaktonte “personat nga paragrafi 1 i këtij neni (nenit 3), të cilët për herë të parë në formën e prerë janë dënuar me dënim me burg prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj lirohen nga ekzekutimi 50 % nga dënimi i shqiptuar me burgim. Kurse paragrafi 4 përcaktonte “përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni (nenit 3), personat të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë mbushur moshën 65 vjeçare lirohen nga ekzekutimi i dënimit të shqiptuar me burgim.
Prandaj ky nen, i cili si i tillë ishte gjithëpërfshirës, dhe i amnistonte një numër të konsiderueshëm të dënuarish për vepra kryesisht të lehta penale ose për shkak të moshës së shtyrë.
Në seancën plenare të Kuvendit të datës 04 Korrik 2013 është kundërshtuar nga një numër deputetësh duke përfshirë edhe qëndrimet e grupeve parlamentare, ku pos një grupi parlamentar që ishte në tërësi kundër këtij projektligji, dy grupe të tjera parlamentare ishin kudër përmbajtjes së nenit 3 të këtij projektligji, me që rast deputetët nuk miratuan këtë projektligj në lexim të parë, pasi që nuk mori numrin e mjaftueshëm prej 2/3 të të gjithë deputetëve, ku për këtë projektligj, për votuan 70 deputetë, kundër ishin 21 deputetë dhe 2 kishin abstenuar (Të dhëna nga transkripti i mbledhjes së Kuvendit).
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë duke e parë vullnetin e deputetëve dhe qëndrimet e disa grupeve parlamentare veçmas sa i përket nenit 3, ka ndryshuar përmbajtjen e projektligjit nga ai që ishte me parë e që ishte i natyrës më gjithëpërfshirëse, dhe përfshinte një numër të konsiderueshëm të veprave penale, kryesisht vepra të lehta. Si rezultat Ligji për Amnistinë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës por pa nenin 3 me përmbajtjen e propozuar fillimisht nga Ministria e Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë shprehet e gatshme që shqetësimet e ngritura nga deputetët në Komisionin për Legjislacion e po ashtu edhe shqetësimet e personave të dënuar t’i trajtoj me seriozitet dhe mbetet e përkushtuar që në pajtim me legjislacionin në fuqi të përmbush çfarëdo rekomandimi, që del nga Kuvendi i Republikës së Kosovës apo komisionet përkatëse të tij, duke përfshirë edhe këtë çështje.