
Ministria e Drejtësisë, përmes këtij sqarimi shtesë dëshiron të informoj opinionin publik se nuk është dhe nuk ka qenë qëndrim i Ministrit të Drejtësisë heqja, apo kufizimi i publikimit të formularëve të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët e lartë publik.
Çështja e formularëve të deklarimit të pasurisë është element kyç i cili nuk është finalizuar në këtë fazë të hartimit të projektligjit. Ministria e Drejtësisë ka pranuar komente të ndryshme dhe kundërthënëse për këtë çështje nga institucionet dhe ekspertët e ndryshëm të BE-së në njërën anë dhe nga organizatat jo-qeveritare në anën tjetër. Po ashtu, mendim kundër publikimit të pasurisë siç është tani ka paraqitur edhe Agjencia për Mbrojtjen e të dhënave personale.
Vlen të theksohet se i vetmi version zyrtar i projektligjit për deklarimin e pasurisë i dalë nga grupi punues gjithëpërfshirës është ai i cili gjendet në ueb – faqen e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin Ministri i Drejtësisë akoma nuk ka dhënë mendimin e tij, pasi që i njëjti nuk është final, dhe në fazën e finalizimit përcillet tek Ministri për vendosje dhe procedim tutje për aprovim në Qeveri.
Ndërkohë që kjo çështje mbetet të vendoset në fazat më të vonshme të hartimit të Ligjit, pas shqyrtimit të plotë dhe të vëmendshëm të të gjitha argumenteve për dhe kundër.
Ministri i Drejtësisë, siguron opinionin e gjerë se në asnjë rrethanë nuk do të lejoj rrënimin e standardeve të ndërtuara të cilat janë treguar efikase, e po ashtu edhe në rastin konkret asnjë dispozitë ligjore nuk do të futet në projektligj pa konsensus të plotë të të gjithë akterëve vendorë dhe ndërkombëtar.
Edhe njëherë duam të bëjmë me dije se Ministria e Drejtësisë është për transparencë të plotë në pajtim me kornizën ligjore në fuqi dhe në pajtim me standardet më të larta evropiane për transparencë të plotë të këtij procesi.