Skip to content
SQARIM

SQARIM

Prishtinë, 21/05/2020

Shefi i kabinetit, Blerim Sallahu, në lidhje me pyetjen se a do ta vazhdoni mandatin e Gjykatës Speciale dhe a ka pasur takime Ministrja me përfaqësues të kësaj Gjykate është përgjigjur si në vijim: Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke e konsideruar si një institucion i cili do të paraqes një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Madje në kohën kur Kuvendi ka votuar amendamentin 24, që Gjykatën Speciale e përbrendëson në Kushtetutë, ne e kemi dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por qartazi dihet se presionet aso kohe kanë qenë shumë të mëdha prandaj pavarësisht angazhimit tonë, nuk kemi arritur ta ndalojmë.

Në këtë drejtim, në përputhje me programin qeverisës, Qeveria jonë, do të angazhohet për fuqizimin e institucioneve tona të drejtësisë, me qëllim të hetimit, gjykimit dhe dënimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Për qeverisjen tonë është e papranueshme që ende afër 21 vite të pasluftës, krimet e luftës, krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, nuk janë dënuar dhe kriminelët ende sillen lirshëm. Më tutje, lidhur me pyetjen tuaj, sipas Ligjit 04/L-274 04/L -274 PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE NË MES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE BASHKIMIT EVROPIAN MBI MISIONIN E BASHKIMIT EVROPIAN PËR SUNDIM TË LIGJIT NË KOSOVË thuhet se mandati i dhomave të specializuara do të përfundoj deri në momentin kur Kosova merr njoftimin nga Këshilli i BE-se se hetimet kanë përfunduar si dhe çdo procedurë nga dhomat gjyqësore që rezultojnë nga ato hetime, të kenë përfunduar.

Në këtë kontekst na paraqiten dy situata juridiko-kushtetuese të cilat nuk mund t’i mbivendosen njëra tjetrës. Së pari sepse marrëveshjet ndërkombëtare mund të shfuqizohen sipas mënyrës së ratifikimit të tyre dhe në përputhje me të drejtën e Traktateve dhe Konventën e Vjenës.

Pavarësisht mospajtimit tonë me Gjykatën Speciale, pushtetet e kaluara, të njëjtën e kanë përbrendësuar dhe si rrjedhojë e kësaj pavarësisht që në amendamentin kushtetues thuhet se mandati i saj është 5 vite, ekziston marrëveshja ndërkombëtare sikur më lartë që pamundëson tërheqjen e njëanshme.

Nuk ka pasur asnjë komunikim dhe as takim ndërmjet Ministres Albulena Haxhiu dhe përfaqësuesve të Gjykatës Speciale.

Skip to content