Skip to content
Sundimi i Ligjit faktor i rëndësishëm për zhvillim ekonomik

Sundimi i Ligjit faktor i rëndësishëm për zhvillim ekonomik

Prishtinë, 29/05/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me temën, “Ekonomia: Me dinamikë të shpejt” gjatë të cilës, ndër të tjera është diskutuar edhe për “Sundimin e ligjit si një parakusht për zhvillim të qëndrueshmërisë”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve,  Ministri Kuçi ka thënë se, për të siguruar parakushte për ekonomi të qëndrueshme është e nevojshme që të krijohen kushte të volitshme.  Ai ka thënë se, fillimisht duhet të krijojmë ambient perceptimi të qytetarëve të cilët merren me biznes dhe qytetarëve tjerë, se zhvillimi ekonomik dhe ligji shkojnë paralel njëra me tjetrën.  Në këtë proces element jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe krahas zhvillimit ekonomik është sundimi i ligjit. 

“Ne në përgjithësi kemi një tendencë që ekonominë dhe drejtësinë ti shohim si dy fusha të ndara. Dhe besoj se tani është koha më e duhur të fillojmë të ndërrojmë këtë qasje dhe të kuptojmë rolin që mund të ketë Drejtësia në Zhvillimin Ekonomik” tha Kuçi. Ai shtoi se pa pasur një sundim të ligjit, që garanton parakushtet për zhvillimin dhe mbrojtjen e bizneseve dhe interesave të qytetarëve, do të jetë e vështirë të ketë ekonomi të qëndrueshme dhe të zhvilluar në vend.

Lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministri Kuçi tha se bashkërisht me akterët relevant do ta angazhohemi për drejtësi në ekonomi. Në këtë drejtim, tha ai, kemi qenë të kujdesshëm, në funksionalizimin e profesioneve të lira, me këtë rast sistemin e noterisë, përmbaruesit privat, arbitrazhin, administratorët falimentues, si dhe një varg segmentesh të cilat po e mbështesin sektorin e ekonomisë. 

Hap tejet i rëndësishëm është edhe hartimi i politikave ligjore dhe  krijimi i parakushteve ligjore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.  Zhvillimi Ekonomik është shumë-dimensional dhe si pasojë edhe drejtësia duhet t’ia paraprij në mënyrë inventive duke paraparë hapat dhe situatat e mundshme. 

Sipas Ministrit Kuçi, drejtësia për ekonominë ka dy role kyçe: të krijojë parakushte ligjore për mundësi të barabarta në zhvillim ekonomik, duke krijuar kështu legjislacion që do të krijonte iniciativa për investitorët e jashtëm por edhe për bizneset në Kosovë, si dhe mbrojtja e interesave të bizneseve, por edhe të qytetarëve nga keqpërdorimet dhe shkeljet që e pamundësojnë zhvillimin ekonomik.

Gjithashtu tha Kuçi, një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në Kosovë është edhe krijimi i parakushteve për investitorë të huaj. Me këtë qëllim unë kam propozuar që në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, të krijohet një divizion për Investitorët e huaj. Kjo do tu mundësonte procedura të shpejta gjyqësore. 

Kuçi ka theksuar barazinë si faktorë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik. “Roli i femrës në biznes mund të jetë shumë i rëndësishëm. Ne kemi bërë analiza, dhe do të ndërmarrim masa  në krijimin e bazamentit ligjorë që do tu lehtësonin grave qasje në prona dhe trashëgimi, e cila do ti favorizonte ato ekonomikisht që të krijojnë biznese familjare, të cilat për momentin janë bazamenti i ekonomisë në Kosovë” tha Kuçi.

Në fund, Ministri Kuçi tha se, është e rëndësishme t’u ofrojmë qytetarëve garanci jo vetëm ligjore, por edhe praktike, ngase të drejtat e tyre garantohen dhe mbrohen në realitet e jo vetëm në letër. “Duhet të kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e kjo mund të bëhet vetëm me realizim dhe shërbime gjyqësore efikase dhe profesionale për qytetarët” tha Ministri Kuçi. 

Foto Galeria

Skip to content