
Me këtë rast, ministri Tahiri ka theksuar rëndësinë që ka kampanja në gjetjen e problemeve që kanë bizneset me sektorin e drejtësisë, duke theksuar se të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e marra do të trajtohen në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
“Nuk jam i interesuar që të bëjë këtë reformë, këto ndryshime, pa qenë në përputhje me nevojat e bizneseve” ka theksuar ministri Tahiri.
Në bashkëbisedim, ministri Tahiri ka kërkuar nga bizneset që të ndajnë përvojën e tyre me punën e profesioneve të lira, si noterët, përmbaruesit privat, administratorët falimentues, si dhe lidhur me mundësinë e kthimit të një Gjykate Ekonomike, e cila ka ekzistuar deri më 2013.
“Para se të krijojmë kushte për investitorë të huaj, ne të gjithë duhet të angazhohemi të krijojmë kushte për bizneset që i kemi këtu. Sigurisht, që është e rëndësishme krijimi i një ambienti për investime të huaja, por fillimisht duhet t’i japim rëndësi bizneseve vendore” ka thënë Tahiri.