
Në takimin dypalësh, Ministri Tahiri ka njoftuar homologen gjermane për angazhimin në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, reformat në drejtësinë penale, kodifikimin e të drejtës civile, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar si dhe për reformën strukturore të sektorit të sundimit të ligjit.
Ministri Tahiri ka shprehur konsideratën e lartë për kontributin që Gjermania ka dhënë në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe mbështetjen e dhënë për procesin e liberalizimit të vizave.
Në këtë kuadër, ministri Tahiri ka kërkuar mbështetje edhe në fuqizimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore përmes akreditimit të programeve dhe trajnimit të punonjësve mjekoligjor në fusha specifike si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale përmes një programi të veçantë të trajnimit për organet e sundimit të ligjit në çështjet që ndërlidhen me efikasitetin e shërbimeve gjyqësore ndaj sektorit të biznesit.
Nga ana e saj, Ministrja Federale e Drejtësisë së Gjermanisë, znj. Barley ka mirëpritur angazhimin institucional në fushën e sundimin të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të Gjermanisë për proceset e reformave të ndërmarra.