Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, priti sot në një takim kortezie, përfaqësuesin Rezident të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), z. Nuno Queirós, me të cilin zhvilloi një diskutim përmbajtësor mbi prioritetet strategjike dhe drejtimin konkret të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të bisedës gjatë këtij takimi ishte avancimi i reformës në drejtësi, forcimi i mekanizmave kundër korrupsionit, garantimi i qasjes së barabartë në drejtësi për çdo qytetar, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë, ligji për Byronë, konsolidimi i mekanizmave të llogaridhënies, si dhe adresimi efektiv i dhunës në familje.
“Këto politika kërkojnë jo vetëm vullnet politik, por edhe kapacitete të qëndrueshme dhe ekspertizë teknike për zbatim të suksesshëm dhe rezultate konkrete”, tha ministrja Gërvalla.
Tutje, ministrja Gërvalla vlerësoi bashkëpunimin me UNDP-në, si një instrument të rëndësishëm për mbështetje teknike, zhvillim kapacitetesh dhe harmonizim të reformave me standardet ndërkombëtare.
“ Megjithatë, objektivi i institucioneve të Republikës së Kosovës mbetet i qartë: politika që prodhojnë rezultate të matshme, institucione që funksionojnë me integritet dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve”, tha ministrja Gërvalla duke shtuar tutje që Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e partneriteteve që kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në përshpejtimin e reformave me ndikim real për qytetarët.