
Bordi Bashkërendues për Sundim të Ligjit diskutoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit në një takim i cili u mbajt sot në Prishtinë në objektin e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit i Posaçëm i BE-së.
Anëtarët e këtij Bordi u pajtuan me pikat kryesore të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe me rekomandimet e tij në fushën e sundimit të ligjit. Ata shqyrtuan plotësimin e udhërrëfyesve për krime lufte, mbrojtje të dëshmitarëve, shoqërim të të burgosurve, mjekësi ligjore, për Panelin e ankesave të shkallës së dytë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme dhe theksuan se këto çështje duhet të adresohen më urgjentisht nga autoritetet e Kosovës.
Bordi diskutoi masat e ndërmarra në përmirësimin e funksionimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe u pajtua që qfarëdo çështje e pazgjidhur administrative dhe e sigurisë lidhur me Pallatin e Drejtësisë të trajtohet gjatë muajve të ardhshëm.
Ky takim u kryesua nga Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, i cili tha se Kosova është e përkushtuar në zhvillimin e një sitemi funksional të drejtësisë, por kërkohet më shumë punë, siç edhe është cekur në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën muajin e kaluar.
"Pak progres është arritur gjatë vitit të kaluar në miratimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit. Megjithatë ka nevojë për një vullnet dhe angazhim të fortë politik si dhe një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike për të siguruar funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë."
Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë, nënvizoi masat e fundit që janë ndërmarrë në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit, derisa përmendi edhe përpjekjet e mëtutjeshme që janë të nevojshme për rritjen e llogaridhënies në gjyqësor.
“Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që të sigurojë që shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të zgjidhen në mesin e kolegëve të tyre, duke fuqizuar kështu pavarësinë e gjyqësorit. Në ndërkohë jemi duke punuar në fuqizimin e funksionimit të pavarur të Zyrës së Prokurorit Disiplinor duke propozuar amendamente për emërimin e shefit të kësaj Zyreje drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës. Kjo masë do të fuqizojë mandatin e kësaj zyreje duke kërkuar llogaridhënie më të madhe nga gjyqtarët dhe prokurorët.”
Ambasadori Gabriele Meucci, Shef i Misionit të EULEX-it, premtoi angazhimin e vazhdueshëm të EULEX-it në asistimin e autoriteteve të Kosovës në realizimin e detyrave të udhërrëfyesve.
"Hartimi i një ligji për mjekësi ligjore, emërimi i gjyqtarit të dytë vendor në Panelin e Ankesave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmirësimi në menaxhimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe integrimi i mbrojtjes civile në Kosovën veriore është një progres që vlen të përmendet. Këta dhe hapat tjerë që Kosova duhet t'i ndërmerr duhet t’i ndërmerr, janë parakusht për arritjen e një sistemi gjyqësor funksional, i cili është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës."
Zëvendës Shefi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agim Maliqi, dhe Zëvendës Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Sevdije Morina, ishin gjithashtu pjesë e këtij takimi si anëtarë të Bordit. Përveç këtyre, të pranishëm në takim ishin edhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Zëvendës Ministri për Punë të Brendshme, Valdet Hoxha, dhe Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit është themeluar me qëllim të sigurimit të bashkërendimit të përpjekjeve për çështjet e sundimit të ligjit në mes akterëve kryesorë në Kosovë. Ky Bord bashkë-drejtohet nga tre kryesues: Shefi i Zyres së BE-së në Kosovë/ Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Ministri i Drejtësisë së Kosovës dhe shefi i Misionit të EULEX-it. Pjesëmarrësit e tjerë përfshijnë Zyrën e Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Zyrën e Këshillit Prokurorial. Bordi takohet deri në 4 herë në vit.