Skip to content
Takimi i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit

Takimi i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit

Prishtinë, 28/05/2014

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit (BPKSL), u takua sot në ndërtesën kryesore të Qeverisë në Prishtinë. Takimi u kryesua nga Samuel Zhbogar, Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe u bashkë-kryesua nga Bernd Borchardt, Shefi i Misionit të EULEX-it dhe Hajredin Kuçi, Zëvendës Kryeministër i Kosovës dhe Ministër i Drejtësisë.  

Ky takim u organizua për të vlerësuar progresin teknik që ka arritur Kosova në fushën e sundimit të ligjit, në veçanti në përmbushjen e Udhërrëfyesit për Krimet e Luftës, Udhërrëfyesit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Udhërrëfyesit për Përcjelljen e të Burgosurve, Udhërrëfyesit  për Mjekësinë Ligjore, Udhërrëfyesit për Panelin e Ankesave të Agjensionit Kosovar të Pronës dhe Udhërrëfyesit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Pika kryesore e këtij takimi ishte njoftimi që version i fundit i Raportit të Progresit të Kompaktit do të publikohet më 13 qershor. 

Kryesuesi i këtij takimi, PSBE Samuel Zhbogar theksoi:

"Ne po ballafaqohemi me një periudhë të ndryshimeve të rëndësishme: të ndryshimeve institucionale, ndryshimeve në sferën politike dhe ndryshimeve në burime. Dhe të gjitha këto koincidojnë me periudhën kur kemi përshpejtim të kalimit të përgjegjësisë në pronësinë lokale. Kompakti ka vërtetuar se është nje mjet i vlefshëm për bashkëpunimin tonë, dhe me një qeveri të re që do të formohet shpejtë, ne duhet të mendojmë se si mund të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në muajt në vijim për t’iu përshtatur ambientit të ri. 

Derisa prania ndërkombëtare ekzistuese në Kosovë fillon një proces të zvogëlimit, qytetarët e Kosovës mund të ndihen të sigurt që Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të forcuar të ardhmen e Kosovës. Ndryshimi do të jetë në atë që institucionet lokale do të jenë në ulësen drejtuese gjithnjë e më shumë. Ekspertiza e BE-së do të jetë më pak e përfshirë: Veçanërisht projektet e synuara të IPA-s do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje në boshllëqet e rëndësishme në kapacitetin ose ekspertizën lokale, derisa këto boshllëqe të jenë plotësuar si duhet nga vetë institucione lokale. Zyra ime do të vazhdojë të ofrojë udhëzime për prioritetet strategjike dhe për zgjidhjen e problemeve. Mirëpo, përfundimisht, është në interes të vetë Kosovës që të marrë kontrollin mbi të ardhmen e saj; të përcaktohen nevojat, të peshohen përfitimet me kostot dhe të merret përgjegjësia e plotë për planifikim, strukturim, planifikim buxheti dhe implementim të strategjive të saj. 

Çfarëdo që të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve, prania e Bashkimit Evropian në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për të siguruar që rruga e saj drejt Evropës mbetet e pashmangshme."

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ripohoi përkrahjen e Kosovës në Sundimin e Ligjit dhe tha: 

"Kontributi i BE-së dhe i EULEX-it në fushën e Sundimit të Ligjit në Kosovë ka pasur një rëndësi të madhe në fuqizimin e Sundimit të Ligjit. Institucionet e Kosovës kanë pasur një bashkëpunim të madh me EULEX-in në të gjitha fushat e ligjësisë, gjë që ka rezultuar në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve lokale dhe në sundimin e ligjit në përgjithësi. 

Bartja e kompetencave nga EULEX-i në Kosovë tregon që kapacitetet e përmirësuara të institucioneve lokale në luftimin e krimit dhe marrja e këtyre kompetencave do të rrisë përgjegjësitë e institucioneve lokale. Sot, ne kemi diskutuar për shumë aspekte të këtij procesi që synon në krijimin e një mjedisi gjyqësor që ofron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.  

Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara në vazhdimin e luftimit të krimit në të gjitha format dhe llojet. Bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe EULEX-in ne kemi shprehur zotimin tonë në vazhdimin e rritjes së bashkëpunimit me të gjitha palët përkatëse të interesit në përpjekjen e përgjithshme për të fuqizuar edhe më tej sundimin e ligjit në Kosovë."

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt theksoi rëndësinë e Kompaktit, duke thënë: 

“Ky takim i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit na dha mundësinë për të rishikuar dhe për të diskutuar progresin e arritur nga përpjekjet tona të përbashkëta. Marrëveshja e fundit për zgjatjen e mandatit tonë edhe për dy vjet të tjera është një pozicion i qatë që mbështet sundimin e ligjit në Kosovë dhe është një sinjal i ripërtëritjes së partneritetit në mes të Kosovës dhe EULEX-it. Ky është takimi i fundit para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë dhe para fundit të mandatit aktual të EULEX-it. Presim me padurim momentin e ri të bashkëpunimit tonë dhe sot siguruam vazhdimësinë e partneritetit tonë. Fokusi i dy viteve të ardhshme do të jetë “Më shumë bashkë, për Kosovën”. 

Në këtë frymë ne kemi rishikuar angazhimet tona të fundit dhe kemi identifikuar fushat që kërkojnë vëmendje, për shembull Udhërrëfyesi për Krimet e Luftës, Udhërrëfyesi për Agjensionin Kosovar të Pronës, Udhërrëfyesi për Përcjelljen e dëshmitarëve për në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dhe Udhërrëfyesi për Mjekësinë Ligjore. Derisa disa pjesë të këtyre Udhërrëfyesve janë implementuar, ne kemi theksuar punën e cila mbetet të bëhet. Ngjashëm, dëshiroj të theksoj punën e përbashkët në përditësimin e matricës kundër korrupsionit, e cila identifikon problemet që duhen zgjidhur në pronësinë e Kosovës. Ne po ashtu kemi vazhduar diskutimet tona për sfidat e veçanta të Kosovës me ndërhyrjen politike në sundimin e ligjit dhe u pajtuam për përgatitjen e një numri masash konkrete për takimin e ardhshëm. 

Bashkërisht, iu kushtua vëmendje angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të punuar në javët e ardhshme në tejkalimin e sfidave të theksuara. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën në punën e saj në këto sfida dhe besojmë se duke punuar së bashku këto sfida do të tejkalohen.”

Foto Galeria

Skip to content